Ditën e sotme janë zhvilluar seancat për caktimin e masave të sigurisë ndaj 31-vjeçarit Kostandin Vogli dhe 50-vjeçarit Tori Ruçi alias Viktor Ruçi, të përfshirë në ngjarjen e rëndë të ndodhur mbrëmjen e 7 majit në zonën e Gjashtës, ku mbeti i vrarë biznesmeni Rexhep Ismaili.
Sipas hetimeve paraprake, shkak i konfliktit dyshohet të ketë qenë një mosmarrëveshje për pronësinë e një beach-bar-i në bregdetin e Bashkisë Himarë. Konflikti mes palëve ka degjeneruar fillimisht në përplasje fizike me sende të forta dhe më pas në përdorim armësh.
I pari që doli para Gjykatës ishte 50-vjeçari Tori Ruçi, i arrestuar nga policia të shtunën për veprën penale “Moskallëzim i krimit”. Gjatë seancës për verifikimin e masës së sigurisë, gjyqtari Mikel Hysometaj vendosi vijimin e masës “Arrest në shtëpi”, duke e detyruar Ruçin të mos largohet nga banesa e tij në fshatin Gjashtë të Sarandës.
Sipas të dhënave të bëra publike, Ruçi rezulton i dënuar më herët për veprën penale “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”.
Pas kësaj seance, prokurorja e çështjes Armida Kaçi dhe gjyqtari Hysometaj u zhvendosën në spitalin “Petro Nako” në Sarandë, ku ndodhet i shtruar nën mbikëqyrje policore 31-vjeçari Kostandin Vogli, i cili ka mbetur i plagosur me armë zjarri në këmbë.
Prokuroria ngriti ndaj tij akuzat për “Moskallëzim të krimit”, “Shkatërrim të pronës” në bashkëpunim dhe “Kanosje” në bashkëpunim. Gjykata pranoi kërkesën e organit të akuzës dhe caktoi ndaj Voglit masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Megjithatë, gjykata mbajti një qëndrim ndryshe nga Prokuroria lidhur me cilësimin juridik të ngjarjes. Sipas gjyqtarit, bazuar në aktet e paraqitura deri në këtë fazë të hetimit, vepra penale duhet të referohet si “Vrasje me dashje” e kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, si edhe “Moskallëzim i krimit” dhe “Shkatërrim i pronës” në bashkëpunim.
Lini një Përgjigje