Detaje të reja janë zbuluar nga ngjarja e rëndë ku mbeti i dhunuar Sokol Toma, ish-kryetari i Partisë Demokratike në Dajç.
Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:00 të datës 9 maj 2026, në autostradën “Mamurras–Laç”, pranë kryqëzimit të Sanxhakut, ku persona ende të paidentifikuar e goditën me sende të forta.
Hetuesit kanë sekuestruar pamjet filmike të kamerave të sigurisë në një territor të gjerë dhe po kryejnë veprime të tjera për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Në njoftimin e Policisë thuhet se 53-vjeçari ka pësuar dëmtime në trup, por pa dhënë detaje konkrete mbi gjendjen e tij shëndetësore apo natyrën e plagëve.
Megjithatë, burime me dije se agresorët dyshohet se i kanë thyer këmbët dhe i kanë prerë një pjesë të veshit. Aktualisht, ai ndodhet i shtruar në repartin e ortopedisë, ku po merr trajtim mjekësor.
"Në lidhje me ngjarjen e ndodhur rreth orës 22:00 të datës 09.05.2026, në autostradën “Mamurras–Laç”, në afërsi të kryqëzimit të Sanxhakut, ku shtetas ende të paidentifikuar, kanë goditur me sende të forta, shtetasin S. T., 53 vjeç, banues në Lezhë, të cilit i kanë shkaktuar dëmtime në trup, sqarojmë se:
Menjëherë pas njoftimit, kanë shkuar në vendngjarje shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet intensive, ka sekuestruar pamjet filmike të kamerave në një territor të gjerë, dhe po kryen një sërë veprimesh të tjera hetimore me qëllim zbardhjen e rrethanave, identifikimin dhe kapjen e autorëve", njofton policia.
Sokol Toma njihet ndër vite si një nga organizatorët më të suksesshëm elektoralë në zonë, por pas ardhjes së Gjin Gjonit në krye të degës së Partisë Demokratike për Lezhën, ai u tërhoq nga jeta politike.
Lini një Përgjigje