
Një aksident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në zonën e Gjirit të Lalëzit. Mësohet se dy automjete janë përplasur "kokë më kokë" dhe si pasojë ka mbetur i vdekur 1 person ndërsa tre të tjerë të plagosur.
Sipas policisë, ngjarja ndodhi rreth orës 22:00. Bëhet me dije se ka humbur jetën një 57-vjeçar, i cili udhëtonte si pasagjer në njërin prej automjeteve të përfshira në aksident.
Nga përplasja mbetën të lënduar edhe drejtuesit e të dy mjeteve, si dhe një pasagjer tjetër, të cilët morën ndihmë mjekësore në spital.
Pas verifikimeve të kryera nga uniformat blu, rezultoi se të dy shoferët drejtonin automjetet në gjendje të dehur. Policia ka bërë të mundur arrestimin e tyre, ndërsa hetimet për rrethanat e plota të aksidentit vijojnë.
"Rreth orës 22:00, në Gjirin e Lalëzit, janë përplasur dy automjete. Si pasojë ka humbur jetën një 57-vjeçar, i cili ndodhej pasagjer në njërin prej automjeteve. Gjithashtu, kanë marrë lëndime drejtuesit e automjeteve dhe një pasagjer. Në vijim të veprimeve procedurale, u arrestuan në flagrancë drejtuesit e të dy automjeteve, të cilët rezultuan se drejtonin automjetet në gjendje të dehur", njoftoi policia.
Lini një Përgjigje