Një ambient i përshtatur për kultivimin dhe përpunimin e kanabisit është zbuluar poshtë një koteci pulash në fshatin Vreshtas të Bashkisë Maliq.
Sipas Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, në pranga është vënë shtetasi me iniciale K.L., i dyshuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim. Një tjetër person është shpallur në kërkim.
Operacioni u zhvillua në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë dhe Seksionin për Hetimin e Narkotikëve, pas hetimeve të kryera me metoda proaktive.
Gjatë kontrollit, hetuesit zbuluan një dhomë të fshehtë nëntokësore, hyrja e së cilës realizohej përmes një strukture të improvizuar nën kotec. Ambienti ishte përshtatur për rritjen dhe tharjen e bimëve narkotike, me mure termoizoluese, sistem ventilimi, ndriçim, ngrohje dhe furnizim me ujë.
Në brendësi u konstatuan zona të posaçme për tharjen e kanabisit, vazo me dhe, mbetje kërcelli bimësh të prera dhe pajisje të tjera që dyshohet se përdoreshin për kultivimin dhe përpunimin e lëndës narkotike.
Nga veprimet hetimore u sekuestruan rreth 5.4 kilogramë lëndë e dyshuar cannabis sativa, një sasi e vogël e dyshuar kokainë, peshore elektronike, pajisje ventilimi dhe ndriçimi, si dhe një armë në formë pistolete me bombol gazi të kompresuar.
Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se ambienti furnizohej me energji elektrike në mënyrë të paligjshme, përmes lidhjes direkte me rrjetin e shpërndarjes. Prokuroria vijon veprimet për dokumentimin e plotë të aktivitetit dhe kapjen e personit të shpallur në kërkim.
Lini një Përgjigje