Policia apel qytetarëve për ndihmë në kapjen e autorit të trefishtë...
Publikohen fotot e autorit të dyshuar dhe viktimave të ngjarjes së rëndë të ndodhur në Podgoricë, ndërsa policia ka intensifikuar operacionin për kapjen e tij. Bëhet fjalë për Vehad Muriç, 25 vjeç, i shpallur në kërkim si i dyshuar për një vrasje të trefishtë në zonën e njohur si “Stari Aerodrom”.
Sipas njoftimit zyrtar, autoritetet policore, në koordinim me Prokurorinë e Lartë në Podgoricë, kanë ndërmarrë masa urgjente për lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarit. Të gjitha strukturat e policisë janë vënë në dispozicion të operacionit, ndërsa qytetarëve u është bërë thirrje të raportojnë çdo informacion që mund të ndihmojë në kapjen e tij.
Ndërkohë, policia ka konfirmuar identitetin e dy prej viktimave, vëllezërit Denis Hoti, 28 vjeç dhe Nezir Hoti, 27 vjeç, me origjinë nga Rozhaja. Viktima e tretë nuk është identifikuar ende zyrtarisht nga autoritetet.
“Të gjitha kapacitetet e disponueshme të Drejtorisë së Policisë janë vënë në dispozicion me qëllim gjetjen dhe ndalimin e tij, dhe gjithashtu u bëjmë thirrje qytetarëve që të japin të gjitha informacionet që mund të jenë të rëndësishme për vendndodhjen e tij. Nëse kanë ndonjë informacion në lidhje me këtë person, u kërkojmë qytetarëve që ta raportojnë këtë informacion në stacionin më të afërt të policisë ose duke telefonuar në numrin 122, dhe nëse e gjejnë veten në të njëjtën zonë ose ndërtesë me këtë person, të jenë të kujdesshëm”, njoftoi policia, raporton "Vijesti".
Nga të dhënat paraprake të hetimit rezulton se krimi ka ndodhur gjatë natës, në një apartament të marrë me qira në Podgoricë, ku viktimat dhe i dyshuari jetonin përkohësisht për shkak të punës në një kantier ndërtimi. Burime policore bëjnë me dije se ngjarja nuk lidhet me përplasje mes grupeve kriminale, por dyshohet të ketë ardhur si pasojë e një konflikti personal mes palëve.
Hetimet paraprake sugjerojnë se vrasja mund të jetë kryer me armë të ftohtë. Pas ngjarjes, i dyshuari dyshohet se është larguar drejt Rozhajës, ku sipas informacioneve të para ka ushtruar dhunë edhe ndaj nënës së tij në banesën familjare.
Krimi është zbuluar pas denoncimit nga familjarët, çka ka çuar në ndërhyrjen e policisë dhe nisjen e hetimeve. Autoritetet vijojnë kontrollet intensive për kapjen e 25-vjeçarit, ndërsa rrethanat e plota të ngjarjes mbeten ende në hetim.
Policia u bën thirrje qytetarëve që, nëse kanë informacion mbi vendndodhjen e të dyshuarit, të kontaktojnë menjëherë organet ligjzbatuese, duke theksuar gjithashtu nevojën për kujdes maksimal në rast se hasin me të.
Lini një Përgjigje