TAGS-AT E JAVËS

Kronike24 Shkurt 2025, 07:24

SPAK i akuzon se vranë Fatbardh Licin, 'i forti' i Shkodrës dhe banda e tij dalin sot para togave të zeza

Shkruar nga Pamfleti
SPAK i akuzon se vranë Fatbardh Licin, 'i forti' i Shkodrës
Safet Bajri

Sot më 24 shkurt, në orën 08:30, Safet Bajri, i njohur si 'i forti' i Shkodrës, Behar Bajri dhe Asmer Bilali do të paraqiten në Gjykatën e Posaçme për masë sigurie.

Ata akuzohen për vrasjen e Fatbardh Licit në gusht të vitit 2018 në Shkodër dhe për pjesëmarrje në një grup të strukturuar kriminal.

Sipas SPAK, tre të dyshuarit dyshohet se ekzekutuan xhaxhain e kundërshtarit të tyre, Ibrahim Lici, si një akt hakmarrje për vrasjen e mikut të tyre, Boran Bërcana. Ky i fundit u ekzekutua brenda në makinën e tij, së bashku me partneren e tij, Silvi Ndoci.

SPAK në një njoftim të ndarë për mediat ka zbardhur edhe akuzar që rëndojnë ndaj tyre, “Vrasje me paramendim” kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal në dëm të viktimës Fatbardh Licin, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”. 

"Nga hetimet e kryera në kuadër të këtij procedim penal, i cili lidhet me disa ngjarje kriminale të ndodhura në qytetin e Shkodrës në vitin 2018, rezulton se janë mbledhur prova mbi të cilat është krijuar dyshimi i arsyeshëm se personat nën hetim; Behar Bajri; Astmer Bilali dhe Safet Bajri kanë planifikuar, organizuar dhe kanë kryer më 10.08.2018, në qytetin e Shkodrës, vrasjen me armë zjarri të shtetasit Fatmir Licit i afërm i shtetasit Ibrahim Lici. Motivi i vrasjes së tij dyshohet se lidhet ndër të tjera me atribuimin që shtetasi Behar Bajri, i bën shtetasit Ibrahim Lici për vrasjen e të njohurit të tij, shtetasit Boran Berçana,.", njoftoi SPAK. 
Me prova të forta në duar, siç njofton zyrtarisht, SPAK iu drejtua Gjykatës së Posaçme dhe më 17 shkurt mori firmën për arrestimin e Safet Bajrit, kushëririt të tij Behar Bajri dhe të besuarit të grupit të tyre, Astmer Bilali, të dy në qeli në kuadër të operacioneve të mëparshme të SPAK, pas transkripteve te Sky ECC. Në një operacion diskret, masat e sigurisë u zbatuan 4 ditë më vonë, më 21 shkurt.

Fillimisht në derën e Safet Bajrit, në shtëpinë e tij në Dobraç shkruan efektivët lokalë të cilët e kërkuan për ta marrë në pyetje, por në drejtorinë e Policisë së Shkodrës, e prisnin forcat RENEA të armatosura deri në dhëmbë, të cilat e transportuan menjëherë drejt Policisë së Tiranës me pranga në duar ku iu komunikua zyrtarisht akuza.

Bajri nuk ngurroi të përshëndesë mediat që e presin në dyert e Policisë, duke iu buzëqeshur.

“Është paraqitur këtu dhe i është bërë prezent për të marrë kampionin e AND-së me vendim gjykate. Ne atë moment i është prezantuar dhe një masë sigurimi tjetër, e cila është për një çështje që është gjykuar njëherë”, tha Sokol Tahiraj, avokat i Safet Bajrit.

Pas procedurave në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, Safet Bajri u transferua në bllokun e sigurisë, në pritje të seancës për t’u njohur me masën e sigurisë në Gjykatën e Posaçme.

Safet Bajri la qelitë e burgut në maj të vitit 2023 pasi iu njoh shlyerja e 8 viteve burg dhënë nga drejtësia belge. Vazhdimisht e ka prezantuar veten njeri familjar, që nuk ka lidhje me krimin, e me pasuri të deklaruara. Emri i tij lakohej sa herë në Shkodër ndodhnin ngjarje kriminale, përfshirë më e fundit, masakra me 4 të vrarë në Dobraç, 30 tetorin e vitit 2024, ku u vra djali i Licajve, Hamza Lici, vëllai i Ibrahimit, miku i tij Arlind Bushati dhe një çift të pafajshëm që u gjetën rastësisht mes plumbave të krimit.

Për Dobraçin SPAK është duke i vijuar hetimet, ndërsa pak ditë më parë vuri në pranga 2 anëtarë të tjerë të grupit Bajri, Samuel Troshani e Izmir Sakica. Të dy, dje një i tretë në kërkim po nga grupi Bajri, akuzohen se do vrisnin Aleksandër Prendin dhe disa familjarë të tij në fshatin Rranxë të Bushatit, ku shkuan me makina të blinduara, por u përballën në një përplasje me armë nga Prendi, edhe ky i fundit i shpallur në kërkim.

Daljen e fundit në media Safet Bajri e pati vetëm 1 javë me parë në media, ku pranoi se makinat e blinduara në ngjarjen e Rranxës, ishin të tijat.

Asmer Bilai, një i besuar i Bajrave, është arrestuar në 2023 në kuadër të dosjes “Metamorfoza”. Sipas dekriptimit të bisedave, Bilali ishte angazhuar për vrasjen e Ibrahim Licit, Dorian Dulit dhe Genc Tafilit, të cilët do ekzekutoheshin në varrimin e Indrit Rrajës me porosi të Behar Bajrit.

Behar Bajri akuzohet për 7 vepra penale ndër to akuzohet për organizimin e vrasjes së Gjin Ndoj, plagosjen e Tauland Pepaj dhe planifikimin e disa atentateve të tjera.

Vrasja e Fatbardh Licit

Fatbardh Lici, është vëlla i Mustafa Licit dhe xhaxhai i Ibrahim dhe Hamza Licit.  53-vjeçari u ekzekutua me breshëri plumbash mëngjesin e 10 gushtit 2018, teksa ndodhej në një kafene i shoqëruar nga persona të tjerë në lagjen Kiras të Shkodrës. Lici u qëllua nga një person që zbriti nga një automjet tip “Benz”, pa targa. Fatbardh Lici ishte kunat i Lulëzim Kullës, ku ky i fundit i shpëtoi atentatit me tritol në 13 janar 2018 dhe dyshimet u ngritën se mes fiseve Bajri e Lici kishin nisur përplasjet.

safet bajri behar bajri dhe asmer bilali

Lini një Përgjigje