Policia ka identifikuar dhe ka shpallur në kërkim 3 persona për të shtënat me armë zjarri që kanë ndodhur mbrëmjen e djeshme në zonën e Kamzës, në rrugën “New York”, tek Rrethi i Bathores.
Në kërkim janë Dejvi Mullai, 24 vjeç, Fabion Kurti, 24 vjeç dhe Enedjo Kaci, 30 vjeç të tre banues në Kamëz.
Sipas burimeve nga Policia bëhet e ditur se dyshohet se nga një automjet është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një automjeti tjetër.
Gjithçka ka nisur pas një konflikti mes dy personave, ku njëri prej tyre është larguar dhe tjetri e ka ndjekur nga pas duke e qëlluar me armë zjarri nga një makinë në lëvizje. Në vendngjarje është gjetur vetëm një gëzhojë, ndërkohë që fatmirësisht nuk ka njerëz të lënduar.
Shërbimet e Policisë kanë bërë rrethimin e zonës dhe vijojnë kontrollet për gjetjen e automjetit dhe kapjen e autorit.
Ndërkohë, grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
'Në lidhje me informacionin paraprak të dhënë mbrëmjen e djeshme, për një automjet në lëvizje nga brenda të cilit është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një automjeti tjetër, ju informojmë se:
Falë veprimeve të shpejta hetimore dhe një pune të pandërprerë është bërë i mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim i autorëve të dyshuar të ngjarjes, konkretisht shtetasit D. M., 24 vjeç, F. K., 24 vjeç dhe E. K., 30 vjeç, të tre banues në Kamëz.
Gjithashtu, gjatë kontrollit të zonës janë gjetur dy automjete të braktisura, të cilat dyshohet se janë përdorur nga autorët për tu larguar nga vendi i ngjarjes.
Po nga veprimet e para hetimore rezulton se 3 autorët e dyshuar të ngjarjes dyshohet se janë larguar me një automjet tjetër i cili është identifikuar nga ana jonë dhe vijon puna për gjetjen e automjetit , lokalizmin dhe kapjen e tre shtetasve të shpallur në kërkim.
Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon puna intensive për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit.', njofton policia.
Lini një Përgjigje