
Forca e Posaçme “Shqiponja” ka goditur një tjetër rast të shpërndarjes së lëndëve narkotike në qytetin e Korçës, duke arrestuar një 34-vjeçar që vepronte në lagje dhe lokale të ndryshme të qytetit. Burime zyrtare nga Policia bëjnë me dije se shtetasi P. T., banues në Korçë, u kap në flagrancë me doza kokaine dhe kanabisi, të ndara dhe të gatshme për shitje.
Kontrolli u zhvillua mbi bazë dyshimesh për aktivitet kriminal, ku shërbimet e “Shqiponjave” ndaluan një automjet në lëvizje dhe ushtruan kontroll të imtësishëm ndaj drejtuesit. Gjatë ndërhyrjes, u sekuestruan doza të substancës së dyshuar si kokainë, ndërsa në vijim të operacionit, gjatë kontrollit në banesën e P. T., u gjetën sasi të tjera të kokainës dhe kanabisit.
Policia konfirmoi se 34-vjeçari është arrestuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Hetimet vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë për të identifikuar personat e tjerë të përfshirë në rrjetin e shpërndarjes së drogës. Materialet janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Korçë.
Ky është një tjetër sinjal i qartë se rrjetet e drogës vijojnë të operojnë në qendrat urbane, nën radarët e Policisë, dhe se vetëm ndërhyrjet e targetuara po çojnë në goditjen e tyre.
Lini një Përgjigje