
Gjykata e Rrethit Dibër ka vendosur sot masën e sigurisë “arrest me burg” për vëllezërit Kristi dhe Aleksandër Bushgjoka, të akuzuar për rrëmbimin dhe vrasjen e të riut Renis Dobra. Sipas burimeve nga seanca gjyqësore, mes të pandehurve dhe trupit gjykues ka pasur debate të ashpra dhe përplasje verbale, ndërsa mbrojtja ka mohuar përfshirjen e tyre në krim.
Arrestimi i dy vëllezërve u krye nga Forcat Operacionale në Tiranë, pasi ata ishin shpallur në kërkim pas ngjarjes së ndodhur më 8 korrik në Mat, ku 23-vjeçari Dobra u mor peng dhe më pas u mbyt me litar. Trupi i pajetë u gjet pranë lumit të Shkopetit, ndërsa makina ishte hedhur në ujë për të humbur gjurmët.
Hetimet e policisë, të ndihmuara nga pamjet e kamerave të sigurisë dhe gjurmimi i makinave me qira të përdorura nga autorët, zbuluan skemën e krimit. Përveç dy vëllezërve të arrestuar sot, më parë ishte vënë në pranga edhe vëllai i tretë, Fatjon Bushgjoka, si dhe shtetasi Petrit Çakri, 55 vjeç, të dy të dyshuar për përfshirje direkte në rrëmbim dhe vrasje.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, dyshohet se të katër personat kanë vepruar në bashkëpunim për të marrë peng Renis Dobrën, duke e çuar drejt një fundi tragjik që ka tronditur opinionin publik. Të gjithë të dyshuarit përballen tani me akuzat për “vrasje me paramendim” dhe “rrëmbim personi në bashkëpunim”.
Lini një Përgjigje