Një shpërthim me lëndë plasëse është regjistruar në orët e para të mëngjesit në fshatin Rrilë të Lezhës.
Sipas informacioneve paraprake, lënda plasëse ka shpërthyer në portën e jashtme të një banese në pronësi të shtetasit Tom Çungu, i cili rezulton të jetojë përkohësisht në Itali.
Mësohet se prej më shumë se 20 vitesh banesa ku ndodhi shpërthimi ka qenë e pabanuar. Nga ngjarja janë shkaktuar vetëm dëme materiale.
"Rreth orës 06:40, në fshatin Rrilë, Lezhë, në portën e jashtme të banesës në pronësi të shtetasit T. Ç., me banim të përkohshëm në Itali, ka shpërthyer një sasi lënde plasëse, duke shkaktuar vetëm dëme materiale. (Prej më shumë se 20 vitesh nuk banon njeri në këtë banesë).
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor.
Nën drejtimin e Prokurorisë, po kryhen veprimet hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.", njofton policia.
Lini një Përgjigje