TAGS-AT E JAVËS

Kronike20 Maj 2026, 22:13

Si u shfaros në banesë familja e ‘Nel Çamit’, dëshmon motra: Autori dridhej pas masakrës, i penduari fshehu ngjarjen

Shkruar nga Pamfleti

Si u shfaros në banesë familja e ‘Nel Çamit’,

Kjo thirrje përmes një zëri që tregonte betejë me vdekjen dhe tronditje të rëndë psikologjike, ishte alarmi që morën të afërmit e familjes Mahmuti duke gdhirë mëngjesi i datës 19 mars 2011.

“Ka qenë bashkëshortja e vëllait tim që ngeli e plagosur nga tragjedia, masakra, edhe ajo merr në telefon çunin e xhaxhait tim e i thotë: ‘Hajde se ne na kanë vrarë…'”, u shpreh Silvana Omeri, motra e Zenel Mahmutit.

Nusja e shtëpisë, Myzejenia, me plagë arme në trup, gjeti forca sa për të bërë njoftimin e tmerrshëm e më pas, në banesën e familjes në lagjen “Syrja Dylgjeri”, mbërriti policia…

Skena ishte e tmerrshme. Një familje e shuar plotësisht. Babai Emin Mahmuti, 62-vjeç, djemtë Xhelali, 36-vjeç dhe Pëllumbi, 42-vjeç, të tre të vdekur në vend me plagë pistolete. Nusja e shtëpisë, 42-vjeçarja Myzejen Qosja, partnerja e Pëllumbit, u gjet në gjendje të rëndë, por fatmirësisht arriti të mbijetojë.

Në njërën prej dhomave u gjetën të vdekur me plumb pas koke Emini, 62-vjeçar dhe i biri Xhelali, 36-vjeçar. Në dhomën tjetër u gjet pajetë, sërish me plumb në kokë, djali tjetër, Pëllumbi. Pas vrasjes së këtij të fundit, është goditur edhe partnerja e tij, e cila u rrëzua pa ndjenja, duke u menduar e vdekur nga autori i krimit brutal.

“Hynë brenda në shtëpi e i vranë të tre, kjo është. Kur na morën në telefon i thanë burrit tim, çfarë të themi, e tmerrshme, masakër. Si nuk më morën mua organet kompetente, më bën çudi”, u shpreh Silvana Omeri, motra e Zenel Mahmutit.

Viktimat ishin familja e ngushtë e Zenel alias Andon Mahmutit, i njohur me nofkën “Nel Çami”. Asnjë prej personave të vdekur nuk kishte precedent penal. Ngjarja nuk është zbardhur sot e kësaj dite, edhe pse hetimi u fokusua menjëherë në konfliktin e nisur në Spanjë me familjen Çaka. Autorët e krimit, duke qenë se nuk arrinin të gjenin Nelin, u hakmorën duke i shuar të gjithë familjen brenda në banesë.

“Tani, ne këtë gjë e dinim, se i bënin shumë presion vëllait tim të vogël, Lalit, e Lali më thoshte: “Motër, do na vrasin”, dhe babi ishte i frikësuar. I kalonin me makinë te këmbët e i thoshnin: “Rro edhe ca ditë…” Everest Çaka dhe Arjan Spahiu, ditët e fundit, vëllait tim i futën tmerrin. “Ta kemi prerë kostumin, çam, edhe ca ditë edhe buzëkuqin…'”, u shpreh Silvana Omeri, motra e Zenel Mahmutit.

Ndër veprimet e para që kreu policia në atë kohë, ishte shoqërimi dhe marrja në pyetje e disa personave të konsideruar si të afërm me kundërshtarët e Nel Çamit. Në atë drejtim ishin edhe dyshimet e grupit hetimor. Vetë motra e viktimave jep për herë të parë detaje konkrete, duke folur edhe me emra…

“Everest Çakën, atë akuzoj, se atij iu vra vëllai në Spanjë edhe ai tha që nga familja e Nel Çamit nuk do lë njeri dhe Lencin, sa të dalë nga burgu, do e vrasë. Ai e ka deklaruar atë”.

“Everesti ishte poshtë te shkallët, kur kaluan viktimat aty që i morën, edhe unë në katin e dytë, që më pyetën, dhashë deklaratë, e kur zbres më thotë djali i xhaxhait: “E pe atë? Ai është Everesti”, kokëmadh ashtu rrinte, dridhej…”, u shpreh Silvana Omeri, motra e Zenel Mahmutit.

“Në çdo rast, organet e drejtësisë, hetimit, policia ka detyrimin të verifikojë mundësinë e përmendjes së emrave të mundshëm që mund të kenë lidhje me ngjarjen, të vërtetojë nëse emrat lidhen me ngjarjen, ka prova që i lidhin dhe kur bindet që nuk lidhen dëshmitë me dyshimet, me autorët konkretë që rezultojnë nga dëshmitë e familjarëve, duhet ta vërtetojë këtë me prova të forta”, u shpreh Florian Bonjaku, ish-prokuror.

Familja Mahmuti ka hedhur dyshime edhe mbi Arjan alias Ardit Spahiun, duke e lidhur atë me konfliktet e përgjakshme që kanë tronditur Elbasanin ndër vite. Meqenëse Spahiu është vrarë dhe sipas familjarëve “i ka marrë me vete në varr ato histori”, ata kërkojnë që drejtësia të fokusohet te dëshmitë e të penduarit të drejtësisë, Erjon Alibej, i konsideruar si një nga njerëzit më të afërt të tij.

Silvana Omeri, motra e Zenel Mahmutit, deklaroi se Alibej ka dijeni për gjithçka që ka ndodhur ndaj familjes së saj dhe kërkoi që ai të tregojë të vërtetën para SPAK-ut.

“Po ata kanë qenë një trup bashkë, gjithçka bashkë, Çaka, Erjoni dhe ai Spahiu. Unë kërkoj vetëm se ai është në dijeni për gjithçka çfarë ka ndodhur në familjen time, është kryesor se ishin një grup”, u shpreh Silvana Omeri.

Lidhur me statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, ish-prokurori Florian Bonjaku theksoi se ligji detyron një të penduar të deklarojë çdo informacion që ka mbi aktivitetin kriminal.

“Bashkëpunëtori ka detyrimin që brenda 30 ditësh nga lidhja e marrëveshjes të deklarojë çdo gjë për aktivitetin kriminal aty ku ka qenë pjesëmarrës apo aty ku ka informacion. Dhe nëse ka kaluar afati, po t’i rrimë strikt nenit 37/A të Kodit të Procedurës Penale, atij duhet t’i revokohet marrëveshja e bashkëpunimit dhe të humbasë përfitimet nga ajo”, u shpreh Bonjaku.

Teksa foli për Erjon Alibejn, Silvana Omeri ngriti edhe akuza të forta publike, duke pretenduar se vajza e saj është përballur me kërcënime dhe tentativa intimidimi.

“Pastaj edhe universitetin, kur nisi goca e vogël, e la me mesatare 9 se Everesti rrinte te dera e shkollës e i tha, edhe pse e rritur: “Të njoh që je mbesa e Nel Çamit”, edhe Erjon Alibej më ka ardhur nga mbrapa për të më rrëmbyer fëmijën dhe vitin e fundit i lashë vaksinën gocës se… se këto janë grup, bashkë…”, u shpreh ajo.

Nga ana tjetër, ish-prokurori Bonjaku nënvizoi se është detyrë e prokurorisë dhe gjykatës të verifikojnë vërtetësinë e dëshmive dhe të kontrollojnë nëse bashkëpunëtori i drejtësisë ka treguar të gjitha informacionet që disponon.

“Duhet të jetë prokuroria dhe gjykata që duhet të vlerësojnë nëse këto dëshmi janë të vërteta, të sinqerta dhe gjithë seti i informacioneve të këtij personi, dhe nëse këto dëshmi bazohen apo jo me të dhëna të tjera”, deklaroi Bonjaku./TCH

familje ekzekutim nel Çami motra

Lini një Përgjigje