TAGS-AT E JAVËS

Kronike20 Maj 2026, 16:05

I mori armën policit dhe e plagosi gjatë shoqërimit, zbardhet dëshmia e Zamir Skënderit

Shkruar nga Pamfleti
I mori armën policit dhe e plagosi gjatë shoqërimit, zbardhet
Zamir Skënderi

Janë zbardhur detaje të reja nga plagosja e efektivit të policisë Arsen Toska, i cili mbeti i plagosur me armën e tij të shërbimit gjatë transportimit të një të arrestuari drejt Komisariatit të Policisë Kuçovë.

Polici 20-vjeçar ndodhet ende në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku po merr trajtim mjekësor për dëmtime të rënda, ndërsa raportohet se ka humbur lëvizshmërinë e gjymtyrëve të poshtme.

Sipas burimeve nga grupi hetimor, autori i dyshuar për ngjarjen, Zamir Skënderi, është marrë disa herë në pyetje nga hetuesit. Ai ka deklaruar se nuk kujton dinamikën e ngjarjes, pasi pretendon se ka qenë nën efektin e lëndëve narkotike.

“Nuk mbaj mend asgjë nga ajo që ka ndodhur pasi kam qenë nën efektin e lëndëve narkotike”, mësohet të ketë deklaruar 45-vjeçari.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së hënës në fshatin Kutalli, në Dimal, në momentin kur patrulla e policisë po transportonte të arrestuarin nga Fieri drejt Komisariatit të Kuçovës. Sipas hetimeve paraprake, gjatë shoqërimit, dyshohet se Skënderi i ka marrë armën e shërbimit efektivit Arsen Toska dhe e ka qëlluar në kofshë brenda automjetit të policisë.

Pas të shtënave, autori i dyshuar u neutralizua dhe u arrestua nga dy efektivët e tjerë që ndodheshin në automjet, ndërsa tentonte të largohej nga vendi i ngjarjes.

Ndërkohë, përveç hetimeve të Prokurorisë së Beratit, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur verifikimet për të përcaktuar nëse janë respektuar procedurat standarde gjatë transportimit të të arrestuarit.

Një nga pistat që po hetohet lidhet me dyshimet se 45-vjeçari nuk është kontrolluar në mënyrë të imtësishme nga policia në Fier, ndërsa dyshohet se kishte me vete një sasi kokaine në momentin e shoqërimit.

zamir skënderi arsen toska plagosje polici

Lini një Përgjigje