Arrestimi i dy vëllezërve në qytetin bregdetar për drogë ishte pikënisja e çështjes ndaj oficerit të policisë gjyqësore, Edmond Ruçi.
Ruçi në pranga mbrëmjen e djeshme, i dyshuar për veprën penale të “korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”.
Mësoht se Ruçi kishte dijeni për veprimtarinë kriminale të dy vëllezërve pasi ata u kapën me 24 doza kanabisi.
Pas arrestimit, oficeri i kërkoi leje Prokurorisë për të përgjuar dy vëllezërit.
Më tej, efektivi mësohet se ka takuar nënën e tyre dhe i ka treguar për hetimet dhe përgjimet. Ai i ka kërkuar asaj që t’i jepte shuma parash për të mbyllur hetimet. Gruaja më pas ka informuar dy djemtë e saj, moment ky i regjistruar edhe në përgjime.
Në momentin që vëllezërit nuk po paguanin paratë e kërkuara nga oficeri i policisë, Ruçi ka dorëzuar në Prokurorisë provat dhe përgjimet e dy vëllezërve, pa kuptuar se brenda përgjimeve kishte dhe komunikimin që nëna e dy të dyshuarve kishte folur me djemtë e saj duke i vendosur në dijeni për bisedën e saj që kishte bërë me Ruçin.
Prokuroria pasi ka zbardhur bisedat ka kuptuar kërkesën e efektivit për të marrë ryshfet për të mbyllur hetimet.
Prokuroria e Sarandës, njofton se oficeri është ndaluar në kuadër të hetimeve për një rast të “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve. Kjo, pas gjetjes së 24 dozave kanabis në një automjet, për të cilat u arrestuan dy persona të tjerë. Hetimet zbuluan të dhëna që lidhnin oficerin e policisë në këtë çështje.
“Ndalimi u krye në vijim të hetimeve për procedimin penal nr.305, datë 19.05.2026, i regjistruar për veprën penale te “Prodhimi dhe shitja e narkotikeve” parashikuar nga neni 283/2 i Kodit Penal në ngarkim të shtetasve K.D. dhe A.Z., pasi në automjetin e drejtuar nga shtetasi A.Z., u gjetën dhe sekuestruan 24 doza me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa. Këta shtetas u arrestuan në flagrancë dhe hetimet po vijojnë. Gjatë hetimit të këtij rasti, lindën dyshime per përfshirje në veprimtari të kundraligjshme nga oficeri i policisë gjyqësore, që po hetonte rastin në fjalë, shtetasi E.R”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Në Sarandë u arrestuan edhe disa efektivë policie në qytetin bregdetar, si të përfshirë në favorizime sa i përket një ndërtimi pa leje në një hapësirë plazhi. Në pranga përfundoi edhe shefi i komisariatit!
Për rastin, u arrestuan edhe 8 persona të cilët punonin në objekt si dhe një grua e cila posedonte hapësirën e plazhit, për llogari të së cilës dyshohet se kryheshin punimet pa leje.
Nga hetimet rezulton se funksionarët e policisë kanë lejuar ndërtimin pa leje, duke mos marrë masat e nevojshme për ndërprerjen e paligjshmërisë. Ata dyshohet se kanë krijuar skema me qëllim përfitimi të paligjshëm, shmangie të përgjegjësisë ligjore dhe favorizim të subjekteve të lidhura me struktura kriminale që operonin në territorin e Sarandës.
Lini një Përgjigje