TAGS-AT E JAVËS

Kronike29 Prill 2026, 12:58

“Revanshi” në GJKKO/ Nga Bami te Avdyli, të pandehurit ‘bojkotojnë’ seancën e parë; përfaqësohen nga avokatët

Shkruar nga Pamfleti
“Revanshi” në GJKKO/ Nga Bami te Avdyli, të pandehurit
GJKKO

Ka nisur në GJKKO procesi ndaj 8 të pandehurve në kuadër të dosjes “Revanshi” ku përfshihen emra të njohur të botës së krimit, të dyshuar për vepra të rënda penale. Në një prej fraksioneve të dosjes përfshihen të pandehurit  Aldo Avdyli, Henerigert Mitri, Marklen Haka, Altin Morina, Edson Jozwik, Jozi Kraja, Durim Bami dhe Oltion Zefi.

Ajo që tërhoqi vëmendjen nga kjo seancë e parë ishte fakti se me përjashtim të Jozi Krajës, që kërkon gjykim të shkurtuar, të gjithë të pandehurit e tjerë kanë zgjedhur të mos ishin të pranishëm në sallën e gjyqit, por të përfaqësohen nga avokatët.

Dy prej avokatëve, që përfaqësonin të pandehurit në GJKKO, nuk ishin të pranishëm në sallën e gjyqit, çka duket se ka detyruar SPAK që të kërkojë shtyrjen e seancës.

Në cilësinë e viktimës së veprës penale ishte thirrur Gjergj Mihasi, babai i Erigers Mihasit, i cili kërkoi të mos marrë më pjesë në seanca për shkak të gjendjes shëndetësore, duke deklaruar se i beson vendimit të gjykatës.

SPAK kërkoi gjithashtu pezullimin e afateve të paraburgimit, duke theksuar se janë ezauruar rrugët ligjore të njoftimit të palëve dhe se të gjitha palët duhet të konsiderohen të njoftuara.

Seanca e rradhës do të mbahet më 6 maj.

Ky fraksion i dosjes "Revanshi" ku përfshihen të pandehurit Aldo Avdyli, Henerigert Mitri, Marklen Haka, Altin Morina, Edson Jozwik, Jozi Kraja, Durim Bami dhe Oltion Zefi, kaloi për gjykim rreth 1 muaj më parë.

SPAK e akuzon Durim Bamin për sigurim kushtesh për të kryer vrasje, grup të strukturuar kriminal dhe kultivim bimësh narkotike. Ndaj Aldo Avdylit rëndojnë akuzat e sigurimit të kushteve për të kryer vrasje dhe grup i strukturuar kriminal.

Altin Morina, ish efektivi i RENEA-s akuzohet për kultivim bimësh narkotike, grup i strukturuar kriminal dhe armëmbajtje pa leje.

Jozi Kraja akuzohet gjithashtu për sigurim kushtesh për të kryer vrasje dhe grup i strukturuar kriminal.

Durim Bami akuzohet se në bashkëpunim me Endrit Doklen dhe të tjerë, siguroi kushtet gjatë janarit 2021 për të vrarë Arben Ndokën. Ndërsa në shkurt 2021, bashkë me Dokle dhe Marklen Hakën planifikoi vrasjen e Tori Xhecukës dhe Erigers Mihasit, mik i Ervis Martinaj i cili u vra në Tiranë.

Po ashtu SPAK e akuzon Durim Bamin si drejtues dhe financues të një grupi që kultivonte kanabis në Nikël dhe Bubq gjatë dhjetor 2019–korrik 2020 dhe sërish në shtator 2020, duke administruar të gjithë aktivitetin. Në ndihmë i vinte ish-efektivi i RENEA-s Altin Morina dhe persona të tjerë të paidentifikuar.

gjkko revanshi spak

Lini një Përgjigje