Vijojnë ndryshimet në Policinë e Shtetit. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka firmosur emërimet e reja në strukturat drejtues të uniformave blu.
Nga raportimet mësohet se drejtor për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit është emëruar Florjan Rrasa. Ky i fundit ka mbajtur funksione drejtuese në strukturat e Policisë, duke nisur nga shef komisariati në atë të shefit të Sektorit për Hetimin e Mashtrimit Kompjuterik, në Drejtorinë për Hetimet e Krimeve Kibernetike, në Departamentin e Policisë Kriminale, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Ndërkohë, zv. drejtor për Rendin në drejtorinë vendore të Policisë Fier është emëruar Taulant Gjoka. Ky i fundit ka mbajtur më parë detyra drejtuese në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Fierit, por me urdhër të Ilir Prodës u shkarkua nga funksionet dhe u përjashtua nga rradhët e policisë. Por vendimi i Prodës nuk zgjati shumë, pasi Drejtoria e Standardeve Profesionale, i konsideroi masat e tij, si të paargumentuara dhe të paligjshme.
Lini një Përgjigje