Gazetarja Etleva Delia ka folur lidhur me arrestimin e Ervin Matës në Brazil, duke zbuluar detaje mbi operacionin dhe gjurmimin e tij në Amerikën Latine, ku kishte kaluar rreth tre vite në arrati.
Delia tha se autoritetet shqiptare kishin prej më shumë se një viti e gjysmë që kishin informuar homologët brazilianë për praninë e tij, ndërsa Mata dyshohet se përdorte identitet të falsifikuar dhe lëvizte mes disa shteteve.
“Ka më shumë se një vit e gjysmë që i është dërguar informacion policisë së Brazilit, që ky person mund të ishte një person i huaj. Ai lëvizte me shtetësi të falsifikuar. Ka pasur një shkëmbim të vazhdueshëm informacioni”, u shpreh ajo për "Abc News".
Sipas saj, gjatë kësaj periudhe Mata ka qarkulluar mes Brazilit, Argjentinës dhe Paraguajt, ndërsa autoritetet shqiptare kishin dërguar prova konkrete për identifikimin e tij.
“I është dërguar një foto në shtator të vitit të kaluar, i janë dërguar edhe gjurmët e gishtave të tij. Por kërkohej dosja e plotë”, u shpreh gazetarja.
Delia theksoi gjithashtu se Brazili është kthyer në një pikë strategjike për aktivitetet kriminale ndërkombëtare.
“Pjesa më e madhe veprojnë në anën tjetër, të Paqësorit, po përdoret Brazili sepse atje është destinacioni kryesor”, theksoi ajo.
Ndërkohë, sipas Delias, një gjykatë braziliane kishte lëshuar urdhër arresti për Matën që në mars të vitit të kaluar, pasi ai nuk kishte aplikuar për azil dhe ndaj tij ishte dorëzuar dokumentacioni nga pala shqiptare.
“Në mars të vitit të kaluar Gjykata e Brazilit ka kërkuar masën e arrestit për Ervin matës, sepse nuk kishte kërkuar azil dhe mori dosjen në dorë. Tani vetëm ekstradimi ka mbetur. Procedurat janë kryer, dosja është dorëzuar dhe nuk ka më procedura të tjera”, deklaroi Delia.
Raportohet se, tashmë pritet finalizimi i ekstradimit të Ervin Matës drejt Shqipërisë.
Lini një Përgjigje