TAGS-AT E JAVËS

Kronike28 Prill 2026, 16:31

Vrasja që tronditi Lezhën/ Policia në gjurmët e autorëve, gjenden veshjet e tyre dhe makina e përdorur në atentat (Video)

Shkruar nga Pamfleti
Vrasja që tronditi Lezhën/ Policia në gjurmët e
Viktimat e vrasjes në Balldren

Policia e Lezhës ka zbuluar automjetin pa targa të përdorur në vrasjen e çiftit Mujeci, të fshehur me bar në një banesë në Torovicë, ku u gjetën edhe prova materiale dhe veshje të autorëve. Hetimet tregojnë se makina ishte marrë me qira, iu hoqën targat dhe u përdor në krim, ndërsa një 22-vjeçar është shpallur në kërkim dhe vijojnë operacionet për kapjen e autorëve.

Policia ka gjetur makinën nga të cilët autorët qëlluan me breshëri plumbash drejt çiftit Kreshnik dhe Gentjana Mujeci më 26 prill 2026 në fshatin Balldren të Lezhës. 

Sipas njoftimit zyrtar, makina tip “Volkswagen Polo”, pa targa, u gjet mesditën e sotme në fshatin Torovicë, në banesën e shtetasit Besnik Kolndreu. Automjeti dyshohet se është përdorur për t’i prerë rrugën çiftit Mujeci dhe për të qëlluar me armë zjarri në drejtim të tyre.

Gjatë kontrollit në brendësi të makinës, grupi hetimor gjeti dhe sekuestroi dy gëzhoja model 56. Nga këqyrja rezultoi se automjeti kishte xhamin e pasmë dhe trekëndëshat anësorë të dyerve të thyer.

Policia bën me dije se në oborrin e banesës së B. K. u gjet edhe një tjetër automjet identik, në pronësi të tij, por me targa. Po ashtu, gjatë kontrollit u gjetën edhe veshjet që dyshohet se janë përdorur nga autorët në momentin e krimit.

Nga hetimet paraprake rezulton se shtetasi F. M. kishte marrë automjetin tip “Volkswagen Polo”, të cilin motra e tij e kishte marrë me qira në Rinas. Sipas policisë, ai i kishte hequr targat dhe, në bashkëpunim me njërin prej dy personave të shpallur në kërkim, e kishte përdorur për kryerjen e krimit.

Pas vrasjes, automjeti dyshohet se është çuar në banesën e B. K. dhe është fshehur duke u mbuluar me bar të thatë, me qëllim humbjen e gjurmëve.

Në vijim të veprimeve hetimore, policia ka shpallur në kërkim shtetasin B. K., 22 vjeç, banues në Torovicë, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Materialet janë referuar gjithashtu në Prokurori edhe për babanë e tij, N. K., 79 vjeç, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

"Në vijim të veprimeve intensive hetimore dhe operacionale, që janë kryer dhe vijojnë të kryhen nga grupi i posaçëm hetimor, për sigurimin e provave, me qëllim dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes së ndodhur më datë 26.04.2026, në fshatin Balldren, Lezhë, ku u vranë me armë zjarri, shtetasit K. M. dhe G. M., bashkëshortë, mesditën e sotme, në fshatin Torovicë, në banesën e shtetasit B. K., shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar automjetin tip “Volksëagen Polo”, pa targa, të përdorur nga autorët.

Gjatë kontrollit në brendësi të automjetit, grupi hetimor gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale, 2 gëzhoja model 56, dhe nga këqyrja, rezultoi se automjeti ka të thyer xhamin e pasmë dhe trekëndëshat anësorë të dyerve.

Gjithashtu, në oborrin e banesës së shtetasit B. K., u gjet një automjet identik me automjetin e parë, në pronësi të shtetasit B. K., por me targa.

Më tej, gjatë kontrollit, u gjetën dhe veshjet e përdorura nga autorët, në momentin e kryerjes së krimit.

Nga veprimet hetimore rezultoi se shtetasi F. M. ka marrë automjetin tip “Volksëagen Polo” (të cilin motra e tij e kishte marrë me qira, në Rinas), i ka hequr targat dhe në bashkëpunim me njërin nga 2 shtetasit e shpallur në kërkim, e kanë përdorur për t’i prerë rrugën dhe për të qëlluar në drejtim të automjetit me të cilin lëviznin shtetasit K. M. dhe G. M.. Pas krimit, e ka çuar automjetin, në banesën e shtetasit B. K., dhe e ka fshehur duke e mbuluar me bar, me qëllim humbjen e gjurmëve, gjithashtu me pretendimin se automjetin e tij, shtetasi B. K. e kishte identik dhe të rregullt.

Në vijim të veprimeve, u shpall në kërkim shtetasi B. K., 22 vjeç, banues në fshatin Torovicë, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, për babanë e 22-vjeçarit, shtetasin N. K., 79 vjeç, banues në fshatin Torovicë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Ndërkohë, shërbimet e Policisë vijojnë kërkimet në terren, për lokalizmin dhe kapjen e autorëve, si dhe të shtetasit të shpallur në kërkim mesditën e sotme."-njofton policia. 

Pamjet filmike kanë ndihmuar grupin hetimor që të zbardhë ngjarjen dhe të identifikojë autorët e dyshuar të krimit, Florin, Renato dhe Adriano Mhillaj. Ky i fundit ishte në kërkim prej 3 muajsh nga Policia e Shkodrës pasi kishte kanosur me armë bashkëfshatarin e tij. 22-vjecari Mhillaj edhe pse në kërkim thurte planin për krimin e radhës. Ai është përgjuar nga policia, teksa komunikonte në telefon me kushëririn për atentatin. Po kështu “Audi A4”, i përdorur në vrasjen e çiftit Mujeci, është i njëjti që është përdorur në konfliktin e Shkodrës.

Çifti Kreshnik dhe Gentjana Mujeci, prindër të 4 fëmijëve të mitur u përcollën në banesën e fundit këtë martë, në Torovicë të Lezhës. Ata u ekzekutuan me breshëri plumbash pasditen e 26 prillit në rrugën Balldren-Torovicë për gjakmarrje nga djali dhe nipat e Genc Mhillaj.

Zanafilla e konfliktit daton 10 vite më pare, ku një konflikt i çastit degjeneroi në dhune. Mhillaj u ekzekutua në fshatin Mali i Jushit, ndërsa policia arrestoi Kreshnik Mujecin, vëllanë e tij dhe kushëririn.

Në vitin 2018, Gjykata e Shkodrës i shpalli të gjithë të pafajshëm për mungesë provash, ndërsa Apeli i Shkodrës la në fuqi këtë vendim. Në 2024, Gjykata e Lartë e ktheu çështjen për rigjykim në Apelin e Përgjithshëm në Tiranë, por ende nuk është caktuar data për nisjen e procesit gjyqësor.

 

atentati ne balldren

Lini një Përgjigje