Tre persona janë arrestuar nga policia e Fierit, pasi dyshohet se ushtronin aktivitet të këmbimit valutor pa licencë.
Në pranga ranë Ramazan Koçiu, 64 vjeç, banues në Lushnjë, si dhe Edmond Shkurti, 67 vjeç dhe Abaz Idrizi, 57 vjeç, të dy banues në Fier. Sipas policisë, ata u kapën në flagrancë duke kryer këmbim valutor në kundërshtim me ligjin.
Gjatë kontrolleve, uniformat blu sekuestruan shuma të konsiderueshme parash në valuta të ndryshme, përfshirë 4 200 000 lekë, 17 300 euro, 1 400 paund, 300 dollarë, 200 franga dhe 2 500 korona.
Operacioni vjen si pjesë e kontrolleve të vazhdueshme në terren dhe verifikimeve ndaj subjekteve të ndryshme, me synim evidentimin dhe goditjen e aktiviteteve që zhvillohen në informalitet.
"Ushtronin aktivitetin e këmbimit valutor, në mënyrë të paligjshme, kapen në flagrancë dhe vihen në pranga 3 shtetas. Sekuestrohen shuma të konsiderueshme parash në valuta të ndryshme (lekë, euro, dollarë, paund dhe franga).Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Fier, në vijim të kontrolleve në terren dhe verifikimeve në subjekte të ndryshme, për evidentimin dhe goditjen e veprimtarive që kryhen në informalitet, organizuan dhe finalizuan në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, operacionin policor e koduar “Transaksioni”.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan shtetasit: -R. K., 64 vjeç, banues në Lushnjë; -E. Sh., 67 vjeç, banues në Fier; -A. I., 57 vjeç, banues në Fier. Këta shtetas dyshohet se ushtronin aktivitetin e këmbimit valutor në Fier dhe në Lushnjë, pa licencën nga organet kompetente. Gjatë kontrollit fizik ndaj këtyre shtetasve dhe kontrollit në banesat e tyre, u gjetën 4 200 000 lekë, 17 300 euro, 1 400 paund, 300 dollarë, 200 franga, 2 500 korona, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me 5 celularë. Në vijim të veprimeve për këtë rast, u vu në hetim shtetasi E. K., 67 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik iu gjet një shumë e vogël parash e përfituar nga këmbimi i kundërligjshëm.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për hetime të mëtejshme, për veprat penale “Ushtrimi pa licencë i veprimtarive financiare” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, njofton policia.
Lini një Përgjigje