Gjykata e Posaçme ka liruar nga burgu shtetasin Ilia Ndoka, kushëririn e ish-deputetit të Partisë Socialiste Arben Ndoka, i cili rezulton i ndaluar për pastrim parash në kuadër të operacionit “Revanshi”.
Gjykata vendosi detyrim paraqitje për Ndokën të premten e parë dhe të tretë të çdo muaji, shkruan Ora News.
Sipas SPAK-ut, dyshohet se Ilia Ndoka ka ndihmuar me para dhe informacion kushëririn e tij, Arben Ndoka, në përpjekjet për të identifikuar dhe ndëshkuar autorët e vrasjes së vëllait të këtij të fundit, Aleksandër Ndoka.
50-vjeçari u arrestua në Itali në kuadër të megaoperacionit të SPAK, ku u goditën 7 grupe kriminale, ku ishte edhe grupi i ish-deputetit socialist, Arben Ndoka.
Ilia Ndoka ka qenë i shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, tha Policia.
Lini një Përgjigje