Tre persona janë shpallur në kërkim nga Policia e Vlorës, pasi akuzohen si të përfshirë në sherrin e dhunshëm që ndodhi më 3 prill në qytetin bregdetar, ku humbi jetën 63-vjeçari Ismail Aliaj.
Bëhet fjalë për Anxhelo Cecin 31 vjeç, Xhafer Ngucaj 34 vjeç, banues në Vlorë dhe Eni Hysaj, 23 vjeç banues në Gjorëm, të cilët dyshohet se kanë dhunuar për vdekje 63-vjeçarin.
Policia po vijon punën për kapjen e autorëve dhe për dokumentimin e plotë të ngjarjes, ndërsa materialet janë referuar për veprën penale “Vrasja me dashje”, e kryer në bashkëpunim.
"Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit, në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera për dokumentimin ligjor të ngjarjes së ndodhur më datë 03.04.2026, referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasit A. C., 31 vjeç, Xh. N., 34 vjeç, banues në Vlorë, dhe E. H., 23 vjeç, banues në Gjorëm.
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se këta shtetas, më datë 03.04.2026, rreth orës 15:00, në rrugën “Gjergj Arianiti”, lagjja “Pavarësia 3”, Vlorë, gjatë një konflikti për motive të dobëta, kanë goditur me grushte shtetasin B. A., 24 vjeç, dhe babain e tij, shtetasin I. A., 63 vjeç, banues në Vlorë. Si pasojë e goditjeve, shtetasi I. A. ka humbur jetën.
Po punohet intensivisht për kapjen e autorëve dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë Vlorë për veprën penale “Vrasja me dashje”, e kryer në bashkëpunim", njofton policia.
Sipas të dhënave paraprake, konflikti lidhet me një përplasje të mëparshme mes djalit të viktimës dhe njërit prej autorëve. Babë e bir kishin shkuar në rrugën “Gjergj Araniti” për të sqaruar situatën, ku u përballën me të.
Në momentin e takimit, ai ndodhej në automjet me familjen, pasi kishte dalë nga spitali. Debati filloi verbalisht dhe më pas u përshkallëzua në fyerje.
Situata agravoi kur në konflikt u përfshinë edhe dy persona të tjerë. Përplasja fizike vijoi me goditje, ku 63-vjeçari humbi jetën në vend.
Lini një Përgjigje