Të paktën dy adoleshentë kanë mbetur të plagosur si pasojë e një sherri masiv, ku janë përdorur edhe thikat. Ngjarja ka ndodhur në qendër të qytetit të Shkodrës, pranë shatrivanit, ku një grup të rinjsh janë përfshirë në një konflikt që precipitoi me përdorimin e mjeteve prerëse.
Nga informacionet e para mësohet se dy nga të rinjtë kanë pësuar plagë me thika dhe janë transportuar drejt spitalit për të marrë ndihmën mjekësore. Policia ka nisur hetimet dhe nga raportimet mësohet se janë shoqëruar disa persona.
Sipas informacioneve paraprake mësohet se personat e përfshirë në konflikt janë të 17 dhe 19 vjeç, ndërsa mendohet se sherri ka nisur për motive të dobëta.
"Rreth orës 19:50, në Spitalin Rajonal Shkodër janë paraqitur për ndihmë mjekësore, të dëmtuar me mjet prerës (thikë), shtetasi E. P., 19 vjeç, dhe një 17-vjeçar, të cilët aktualisht ndodhen nën kujdesin e mjekëve.
Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe, nga veprimet e para hetimore, dyshohet se këta shtetas janë dëmtuar me mjet prerës në lagjen “Qemal Stafa”, gjatë një konflikti të çastit.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe kapjen e autorëve", thuhet në njoftimin e policisë.
Lini një Përgjigje