
SPAK ka përfunduar hetimet lidhur me dosjen ‘Bankers’, ndërsa ka ngritur 3 akuza për 6 të pandehur të çështjes që fillimisht u hetua nga Prokuroria e Fierit dhe më pas u transferua në Tiranë.
Akuzat u janë komunikuar Leonidha Çobos, Ritvan Zotos, Elvira Plakut dhe 3 ish-punonjësve të Ministrisë së Financave.
Gazetarja Klodiana Lala, referuar informacioneve nga SPAK, bëri të ditur se ndaj tyre rëndojnë akuzat shpërdorim detyre, vjedhje përmes shpërdorimit të detyrës dhe pastrim parash. Referuar dosjes hetimore, të pandehurit rezultojnë se blinin toka dhe ja jepnin me qira të lartë kompanisë Bankers.
Ndërkohë SPAK vijon hetimet për një nga ato që konsiderohen aferat më të mëdha në fushën e hidrokarbureve.
Hetimet e SPAK janë kryer nga prokuroret Anita Jella dhe Enkeleida Millonai, ndërsa janë shtrirë edhe mbi veprimet e organeve tatimore që ndër vite kanë lejuar abuzimet e Bankers.
Në një përgjigje të SPAK thuhet se kjo dosje po hetohet për “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, “Fshehja e të ardhurave”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Moskryerja e detyrave nga organet tatimore”, “Korrupsion pasiv i zyrtarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Në dhjetor 2025, GJKKO zgjati me 3 muaj afatin e hetimeve ndaj Bankers. Prokuroret Enkeleda Millonai dhe Anita Jella argumentuan se kjo zgjatje është e nevojshme për kryerjen e veprimeve të tjera hetimore, për shkak të kompleksitetit të çështjes ndërsa kërkesa u miratua nga gjyqtari Erion Çela.
Sipas Prokurorisë, Bankers ka realizuar shitje dhe eksporte nafte në vlerën totale prej 532 miliardë lekësh, por ka deklaruar humbje për çdo vit, me një total prej 11.7 miliardë lekësh, duke shmangur tatimin mbi fitimin dhe duke përfituar rimbursime të dyshimta të TVSH-së.
Lini një Përgjigje