
I arrestuari Fatjon Rrika, i cili akuzohet për vendosjen e lëndës plasëse në automjetin e oficerit të krimeve në Lezhë Gentjan Gjetja, nuk e ka pranuar autorësinë.
Grupi hetimor dyshon se ai mund të ketë vepruar kundrejt pagesës nga persona të tjerë për të vendosur tritolin në mjet.
Policia e identifikoi përmes pamjeve filmike të siguruara në disa akse rrugore. Më pas e lokalizoi në fshatin Zhejë të Kurbinit dhe e arrestoi teksa lëvizte me çiklomotorin që dyshohet se u përdor në ngjarje. Ai rezulton me precedent penal në Itali për vjedhje me armë.
Gjatë kontrollit në banesë, policia gjeti një armë gjahu pa leje, duke vendosur në hetim edhe babanë e tij. Ndërkohë, hetimet vijojnë për identifikimin e një personi tjetër që dyshohet se ka bashkëpunuar.
Shpërthimi shkaktoi vetëm dëme materiale. Hetuesit po verifikojnë pistën që lidh sulmin me detyrën e oficerit në sektorin e krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë.
"Zbardhen autorësia dhe rrethanat e ngjarjes së ndodhur 2 ditë më parë, në lagjen “Besëlidhja”, ku u shkatërrua me eksploziv, automjeti i një punonjësi policie.
Identifikohet dhe arrestohet autori i dyshuar i krimit.
I arrestuari, shtetas me precedent në Itali, për vjedhje me armë.
Ai u kap duke lëvizur me ciklomotorin me të cilin kishte shkuar për të kryer shpërthimin.
Si rezultat i veprimeve hetimore intensive të kryera me qëllim përcaktimin e autorësisë dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes së ndodhur më datë 15 mars 2026, në lagjen “Besëlidhja”, ku u shkatërrua me lëndë plasëse, automjeti i punonjësit të Policisë, shtetasit Gj. Gj., shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, në drejtimin e Prokurorisë dhe në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, finalizuan operacionin e koduar “Zoomed In”.
Gjatë operacionit, u identifikua si rezultat i vëzhgimit të hollësishëm të një sërë pamjesh filmike të siguruara në akse të ndryshme, autori i dyshuar i rastit, shtetasi F. Rr., 32 vjeç.
32-vjeçari u arrestua në fshatin Zhejë, Kurbin, teksa drejtonte të njëjtin ciklomotorin, me të cilin dyshohet se kishte shkuar në vendngjarje, ditën e kryerjes së krimit.
Në vijim të operacionit, nisi procedimi penal për babanë e shtetasit F. Rr., shtetasin N. Rr., 66 vjeç, pasi gjatë kontrollit në banesën e tyre, u gjet një armë gjahu, e cila posedohej pa leje.
Ciklomotori dhe arma e gjahut u sekuestruan me cilësinë e provës materiale.
Vijon hetimi në drejtimin e Prokurorisë së Lezhës, për të identifikuar dhe nxjerrë përpara penale, një shtetas që dyshohet se ka bashkëpunuar me 32-vjeçarin, për kryerjen e këtij krimi.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme", njoftoi policia.
Lini një Përgjigje