TAGS-AT E JAVËS

Kronike16 Mars 2026, 19:26

Operacion antidrogë në kufirin greko-shqiptar, kapen 60 kg marijuanë; në pranga një 18-vjeçar

Shkruar nga Pamfleti
Operacion antidrogë në kufirin greko-shqiptar, kapen 60 kg
Foto nga operacioni

Policia greke njofton se droga u zbulua në një automjet me qira në zonën e Sajadhës; sipas autoriteteve, që nga shtatori janë sekuestruar rreth 835 kilogramë marijuanë që dyshohet se vinin nga Shqipëria.

Një sasi prej 60 kilogramë e 565 gramë marijuanë është sekuestruar nga policia greke pranë kufirit greko-shqiptar, ndërsa në pranga ka rënë një 18-vjeçar grek, i dyshuar për trafikim dhe transportim të lëndëve narkotike.

Sipas autoriteteve greke, operacioni u zhvillua nga oficerët e Departamentit të Narkotikëve të Nëndrejtorisë së Ndjekjes dhe Hetimit të Krimeve në Igumenicë, gjatë kontrolleve të synuara të kryera mëngjesin e së hënës, 16 mars 2026.

Efektivët lokalizuan në zonën e Sajadhës një automjet privat, në pronësi të një kompanie që jep makina me qira, i cili drejtohej nga 18-vjeçari. Gjatë kontrollit, në bagazh dhe në sediljet e pasme të mjetit u gjetën tre çanta, brenda të cilave ndodheshin 55 pako me marijuanë.

E gjithë sasia e sekuestruar rezultoi me peshë totale 60 kilogramë e 565 gramë, ndërsa ndaj të riut është ngritur dosje penale për veprat që lidhen me trafikimin dhe transportimin e drogës.

Autoritetet greke bëjnë të ditur se, që prej muajit shtator, janë sekuestruar rreth 835 kilogramë marijuanë që dyshohet se kanë hyrë nga territori shqiptar.

Sipas policisë, rastet janë evidentuar në Igumenicë, në rrugë tokësore dhe detare, si edhe në zona të tjera si Janina, Selaniku dhe Kosturi.

operacion antidrogë

Lini një Përgjigje