TAGS-AT E JAVËS

Kronike16 Mars 2026, 12:47

"Mbajnë kontakte me grupe kriminale"/ Pesë të burgosur drejt izolimit total, SPAK shqyrton vendosjen në regjimin 41-biss

Shkruar nga Pamfleti
"Mbajnë kontakte me grupe kriminale"/ Pesë të burgosur
Foto Ilustrim

Prokuroria e Posaçme po shqyrton kërkesat e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për vendosjen e pesë të burgosurve në regjimin e ashpër 41-biss. Identitetet e tyre nuk bëhen publike.

Raporti vjetor i SPAK tregon se këta të dënuar mbeten nën monitorim të vazhdueshëm. Autoritetet mbikëqyrin komunikimet dhe takimet e tyre për të vlerësuar nëse ekzistojnë prova që justifikojnë izolimin në këtë regjim.

Nëse SPAK konstaton elementë të mjaftueshëm, vendimi përfundimtar për kalimin në 41-biss miratohet nga ministri i Drejtësisë, Toni Gogu. Ky regjim bazohet në modelin italian të përdorur kundër strukturave mafioze.

Sipas të dhënave zyrtare, gjatë një viti Drejtoria e Burgjeve i ka paraqitur SPAK nëntë kërkesa për këtë masë. Këto kërkesa mbështeten në dyshimet se disa të dënuar vijojnë të mbajnë kontakte të dyshimta me persona të lidhur me krimin edhe gjatë vuajtjes së dënimit.

Pas verifikimeve dhe përgjimeve, SPAK vendosi të mos nisë procedurat për katër prej rasteve, pasi nuk identifikoi prova të mjaftueshme për kalimin në regjimin e izolimit të plotë.

Ndërkohë, nga dy strukturat e krijuara për regjimin 41-biss, njëra është përshtatur për të mbajtur të ndarë të penduarit e drejtësisë nga pjesa tjetër e të burgosurve. Struktura tjetër, e vendosur në burgun e sigurisë së lartë në Peqin, aktualisht nuk ka asnjë të burgosur të vendosur në këtë regjim.

Procesi i vlerësimit për pesë kërkesat e mbetura vijon nën mbikëqyrjen e SPAK. Vendimi përfundimtar do të merret pasi të analizohen të gjitha provat dhe indiciet e mbledhura. 

regjimi 41 bis

Lini një Përgjigje