
Zbardhen detaje të reja lidhur me atentatin me tritol ndaj Oltjon Klosit. Sipas burimeve nga hetimi, konflikti mes tij dhe Sabah Nuzit lidhej me një borxh prej 15 mijë eurosh.
Bëhet me dije se, përplasja mes dy personave kishte nisur prej kohësh për shkak të kësaj shume parash. Borxhi dyshohet se është marrë jashtë vendit, në Spanjë, dhe sipas burimeve pranë policisë dyshohet se bëhet fjalë për para të lidhura me trafikun e drogës.
Nga njëra anë, Oltjon Klosi pretendonte se borxhin e kishte shlyer, ndërsa Sabah Nuzi këmbëngulte se 36-vjeçari i detyrohej ende 15 mijë euro.
Sipas hetimeve, pasi Klosi refuzoi të paguante shumën, Sabah Nuzi dyshohet se ka urdhëruar një grup personash që t’i vendosnin tritol në automjet, duke çuar në organizimin e atentatit.
Autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rolin e të gjithë personave të përfshirë dhe rrethanat e konfliktit që dyshohet se çoi në vendosjen e eksplozivit.
Kush është Sabah Nuzi?
33-vjeçari Nuzi akuzohet se ekzekutoi Klevis Lleshit kundrejt 50 mijë eurove, ngjarje e ndodhur një vitë më parë.
Nuzi është arrestuar më 26 shtator të vitit të kaluar i dyshuar si pjesë e grupit kriminal të Aurel Hoxhës, porositësi i vrasjes së 22-vjeçarit Klevis Lleshi. Sabah Nuzi ka luajtur rolin e ekzekutorit në këtë ngjarje.
Nuzi rezulton me precedentë të theksuar kriminale. Në vitin 2020 u arrestua nga Policia e Matit pasi kishte qëlluar me armë në ajër dhe kishte kërcënuar një person. Edhe më herët, në vitin 2012, kur ka qenë vetëm 18 vjeç, është prangosur për plagosjen e 3 personave me pistoletë.
Aktualisht Nuzi ndodhet në burgun e Fushë-Krujës i akuzuar për veprat penale “Vrasje për gjakmarrje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Fshehja ose asgjesimi i kufomës”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal” dhe “Organizata kriminale”.
Lini një Përgjigje