Sabah Nuzi dyshohet nga hetuesit si porositësi i vendosjes së tritolit në automjetin e 36-vjeçarit Oltjon Klosi, ngjarje e ndodhur më 10 mars në Tiranë.
Nuzi është arrestuar më 26 shtator të vitit të kaluar, i dyshuar si pjesë e grupit kriminal të Aurel Hoxhës, i cili sipas hetimeve konsiderohet porositësi i vrasjes së 22-vjeçarit Klevis Lleshi. Në këtë ngjarje, Sabah Nuzi dyshohet se ka pasur rolin e ekzekutorit.
Sipas të dhënave nga hetimet, Nuzi rezulton me precedentë të theksuar kriminalë. Në vitin 2020, ai u arrestua nga Policia e Matit pasi kishte qëlluar me armë zjarri në ajër dhe kishte kërcënuar një person.
Ndërsa më herët, në vitin 2012, kur ishte vetëm 18 vjeç, ai u arrestua për plagosjen me armë zjarri të tre personave.
Aktualisht, Sabah Nuzi ndodhet i paraburgosur në burgun e Fushë-Krujës, ku akuzohet për disa vepra të rënda penale, mes tyre: "Vrasje për gjakmarrje", "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve dhe municioneve", “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Organizata kriminale”.
Autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe motivet e vendosjes së eksplozivit në automjetin e 36-vjeçarit në kryeqytet.
Lini një Përgjigje