TAGS-AT E JAVËS

Kronike16 Mars 2026, 10:02

Detaje nga atentati në Lezhë, dy autorët vendosën lëndën plasëse dhe u larguan me motor

Shkruar nga Pamfleti

Detaje nga atentati në Lezhë, dy autorët vendosën

Zbardhen detaje të reja lidhur me vendosjen e një sasie lënde plasëse në automjetin e agjentit të krimeve në Lezhë, 41-vjeçarit Gentjan Gjeta.

Sipas hetimeve paraprake dhe këqyrjes së kamerave të sigurisë në zonë, autorët dyshohet se kanë qenë dy persona të maskuar, të cilët kanë lëvizur me motor.

Nga pamjet e siguruara deri tani rezulton se ata kanë qenë të kamufluar, çka e ka bërë të vështirë identifikimin e tyre nga policia.

Burime nga hetimi bëjnë me dije se pista kryesore ku po përqendrohen hetimet është ajo e lidhjes së ngjarjes me detyrën e efektivit, ndërsa grupi hetimor po punon për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave.

Autoritetet po analizojnë gjithashtu pamje të tjera kamerash në zonë, me qëllim gjurmimin e lëvizjes së autorëve para dhe pas vendosjes së lëndës plasëse.

“Rreth orës 05:55, në qytetin e Lezhës, dyshohet se është vendosur lëndë plasëse në një automjet të parkuar, tip “Volkswagen Golf”, në pronësi të shtetasit G. Gj., 41 vjeç, punonjës policie në DVP Lezhë. Nga shpërthimi janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Në vendngjarje kanë shkuar menjëherë shërbimet e Policisë, të cilat vijojnë kontrollet në zonë për kapjen e autorit/ve.

Dy autorë të maskuar vendosën tritolin në makinën e agjentit të Krimeve në Lezhë, lëviznin me motor.

Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ndodhet në vendngjarje dhe vijon intensivisht veprimet për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit”, njoftoi më herët policia.

Ngjarja ndodhi mëngjesin e djeshëm në Lezhë. Lënda plasëse iu vendos automjetit të një punonjësi policie, por fatmirësisht nuk pati persona të lënduar. Makina tip “Volkswagen Golf 5”, në pronësi të agjentit të krimeve në Policinë e Lezhës, ishte i parkuar poshtë shtëpisë së tij, në lagjen “Besëlidhja”, në afërsi të gjimnazit të qytetit, kur iu vendos lënda plasëse. Shpërthimi ndodhi rreth orës 05:55 dhe shkaktoi vetëm dëme materiale në pjesën e përparme të automjetit.

Ndërkohë në dëshminë e tij të dhënë për grupin hetimor, 41-vjeçari Gent Gjetja ka deklaruar se nuk ka konflikte. Dyshimet janë se sulmi me tritol ndaj automjetit të punonjësit të policisë mund të ketë ndodhur për shkak të detyrës që ai ushtron prej vitesh në sektorin e krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë.

Lini një Përgjigje