Një 44-vjeçar ka rënë në prangat e Policisë së Tiranës, pasi dyshohet se furnizonte qytetin me kokainë.
I arrestuari është shtetasi S. K., banues në Vorë, i cili u kap në kuadër të operacionit policor të koduar “Bulevardi”.
Gjatë kontrollit fizik, atij iu gjet dhe sekuestrua një sasi prej rreth 1 kilogram e 680 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë, e ndarë në dy paketime.
Sipas Policisë, 44-vjeçari dyshohet se do ta shpërndante kokainën në zonën e Bulevardit të Ri, si dhe në segmentet rrugore që lidhin Tiranën me zonën e Urës së Paskuqanit. Ai u lokalizua dhe u ndalua për kontroll në rrugën “Riglata”, pas informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore.
Nga hetimet paraprake dyshohet se 44-vjeçari furnizonte persona të tjerë me kokainë për shitje në doza, ndërsa një pjesë të lëndës narkotike e shpërndante vetë.
"Vijojnë goditjet e njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë kriminale të furnizimit dhe shpërndarjes së drogave të forta. Finalizohet operacioni policor i koduar “Bulevardi”. Do të furnizonte dhe do të shpërndante lëndë narkotike kokainë në zona të ndryshme të Tiranës, evidentohet dhe vihet në pranga 44-vjeçari.
Sekuestrohet një tjetër sasi e konsiderueshme lënde narkotike kokainë, me peshë 1 kg e 680 gramë. Gjatë fazave të operacionit të fundit të koduar “Zonat”, të zhvilluar gjatë muajve maj dhe qershor, janë sekuestruar rreth 1.5 kilogramë kokainë dhe 1.1 kilogramë heroinë.
Në vijim të kontrolleve intensive dhe punës së bazuar në inteligjencën policore për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Tiranë siguruan informacione se një shtetas do të transportonte dhe shpërndante një sasi të konsiderueshme lënde narkotike kokainë në zonën e Bulevardit të Ri dhe në segmentet rrugore që lidhin kryeqytetin me zonën e Urës së Paskuqanit.
Bazuar në këto informacione, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Bulevardi”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit S. K., 44 vjeç, banues në Vorë. Gjatë operacionit, në rrugën “Riglata”, shërbimet e Policisë lokalizuan dhe ndaluan për kontroll 44-vjeçarin.
Gjatë kontrollit fizik, atij iu gjetën dhe iu sekuestruan 2 paketime me lëndë të dyshuar narkotike kokainë, me peshë të përgjithshme rreth 1 kg e 680 gramë. Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas furnizonte persona të tjerë me lëndë narkotike kokainë, me qëllim shitjen e saj në doza, si dhe një pjesë të sasisë e shpërndante vetë.
Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, njofton policia.
Lini një Përgjigje