Porosia për vendosjen e eksplozivit është bërë nga Nuzi në emër të personave të tjerë që kishin konflikte me 36-vjeçarin
Hetimet për shpërthimin me tritol të automjetit të Oltjon Klosit, ngjarje e ndodhur më 10 mars në Tiranë, kanë marrë një tjetër rrjedhë, pasi janë zbardhur detaje të reja mbi motivet dhe përfshirjen e personave të arrestuar.
Fillimisht, të ndaluarit nuk kanë dhënë deklarime, por më pas kanë pranuar autorësinë e ngjarjes.
Dyshimet e para të policisë lidhnin shpërthimin me një konflikt të mëparshëm në Spanjë mes Sabah Nuzit, i cili ndodhet në burg për vepra të rënda penale, dhe objektivit të sulmit, për një borxh prej 15 mijë eurosh.
Megjithatë, nga deklarimet e mëvonshme ka rezultuar se Nuzi dhe Klosi nuk kishin njohje me njëri-tjetrin.
Sipas versionit të dhënë, porosia për vendosjen e eksplozivit është bërë nga Nuzi në emër të personave të tjerë që kishin konflikte me 36-vjeçarin, por identiteti i tyre nuk është bërë i ditur për hetuesit.
Personi që dyshohet se vendosi tritolin në automjet është Jurgen Gjonaj. Ai ka deklaruar se pranoi të kryente shpërthimin për të shlyer një borxh prej rreth 15 mijë eurosh ndaj Sabah Nuzit. Sipas tij, borxhi kishte lindur pas humbjes së një ngarkese droge në Gjermani, dhe kryerja e atentatit konsiderohej si formë shlyerjeje.
Në lidhje me këtë ngjarje, policia arrestoi 7 persona. Jurgen Gjonaj, Renato Balla, Kristjan Ahmerama dhe Eklips Leti akuzohen për veprën penale “Shkatërrim i pronës me eksploziv”, kryer në bashkëpunim. Ndërsa Glentjan Kojtari, Dorjan Hamolli dhe Geris Molla akuzohen për “Përkrahja e autorit të krimit”.
Zbardhja e ngjarjes u bë e mundur falë gjurmimit të një biçiklete të përdorur nga autori, e cila rezultoi e vjedhur nga Kristjan Ahmerama dhe e fshehur më pas në një ambient në zonën e Laprakës. Vëzhgimi i tij çoi më tej në identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë.
Hetimet vijojnë për të identifikuar personat e tjerë të mundshëm që mund të kenë porositur apo organizuar këtë ngjarje.
Kush është Sabah Nuzi?
33-vjeçari Nuzi akuzohet se ekzekutoi Klevis Lleshin kundrejt 50 mijë eurove, ngjarje e ndodhur një vitë më parë.
Nuzi është arrestuar më 26 shtator të vitit të kaluar i dyshuar si pjesë e grupit kriminal të Aurel Hoxhës, porositësi i vrasjes së 22-vjeçarit Klevis Lleshi. Sabah Nuzi ka luajtur rolin e ekzekutorit në këtë ngjarje.
Nuzi rezulton me precedentë të theksuar kriminale. Në vitin 2020 u arrestua nga Policia e Matit pasi kishte qëlluar me armë në ajër dhe kishte kërcënuar një person. Edhe më herët, në vitin 2012, kur ka qenë vetëm 18 vjeç, është prangosur për plagosjen e 3 personave me pistoletë.
Aktualisht Nuzi ndodhet në burgun e Fushë-Krujës i akuzuar për veprat penale “Vrasje për gjakmarrje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Fshehja ose asgjesimi i kufomës”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal” dhe “Organizata kriminale”.
Lini një Përgjigje