TAGS-AT E JAVËS

Kronike15 Shkurt 2026, 10:56

Misteri i plagosjes së 18-vjeçares në Tiranë, arrestohet nipi i Vladimir Gjutës

Shkruar nga Pamfleti
Misteri i plagosjes së 18-vjeçares në Tiranë, arrestohet
Misteri i plagosjes së 18-vjeçares në Tiranë, arrestohet nipi i Vladimir Gjutës

Policia e Tiranës arrestoi 22-vjeçarin Erisjaldo Gjuta, nipi i Vladimir Gjutës pas plagosjes me armë zjarri të një 18-vjeçareje në një hotel në pronësi të familjes së tij.

Ngjarja ka ngritur dyshime mbi rrethanat e plagosjes, pasi hetuesit po verifikojnë nëse e reja është vetëplagosur apo nëse është qëlluar nga një person tjetër. 18-vjeçarja rezulton të ketë qenë në një lidhje me 22-vjeçarin.

Policia vijon hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve kundër Jetës dhe Pronës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 1, kapën dhe ndaluan shtetasin E. Gj., 22 vjeç, i shpallur në kërkim ditën e djeshme për veprat penale "Moskallëzim i krimit", "Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës", kryer në bashkëpunim, dhe "Mbajtja pa leje e armëve shpërthyese dhe municionit", thuhet në njoftimin e Policisë.

Plagosja e 18-vjeçares Natalie Murati, ditën e djeshme në Tiranë ka ngritur dyshime për manipulimin e ngjarjes. Policia nxitoi që me një deklaratë zyrtare ta klasifikojë ngjarjen si një vetëplagosje, madje duke iu referuar pamjeve filmike të kamerave që ndodhen në hotelin ku ndodhi plagosja.

Por nga gazetarët që kanë raportuar mbi ngjarjen, janë ngritur dyshime mbi ekzistencën e kamerave të sigurisë. Në kushte të tilla, nëse një pretendim i tillë merret i mirëqënë, pyetje që lind është: ku i gjeti policia e Prodës pamjet filmike?

Në njoftimin zyrtar, policia theksoi se “nga veprimet e shpejta hetimore të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve kundër Jetës dhe Pronës, si dhe nga këqyrja e pamjeve të kamerave të sigurisë, rezultoi se ngjarja ka ndodhur në ambientet e një subjekti në Sauk, ku 18-vjeçarja dyshohet se është vetëplagosur me armë zjarri”.

Megjithatë, sipas raportimeve të gazetarëve në terren, në hotelin “Gjuta”, ku dyshohet se ndodhi plagosja, nuk ka pasur kamera sigurie. Po sipas këtyre burimeve, mungesa e tyre ka vështirësuar verifikimin e plotë të dinamikës së ngjarjes, duke lënë pa prova filmike momentin e incidentit.

18-vjeçarja ka deklaruar para hetuesve se është vetëplagosur, por burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se ekzistojnë dyshime edhe për mundësinë e një plagosjeje në rrethana të tjera. Kjo pistë, deri më tani, nuk është provuar.

Ndërkohë, anëtarët e familjes Gjuta, të cilët dyshohet se kanë fshehur fillimisht ngjarjen, kanë deklaruar paraprakisht se vepruan nga frika se vajza mund të humbiste jetën dhe se, për shkak se tentativa për vetëvrasje ndodhi në ambientet e biznesit të tyre, përgjegjësia penale mund t’u faturohej atyre.

Këto zhvillime shtojnë paqartësitë mbi versionin zyrtar dhe rrethanat reale të ngjarjes, ndërsa pritet një sqarim i mëtejshëm nga autoritetet lidhur me referencën për kamerat e sigurisë dhe ecurinë e hetimeve.

Kujtojmë se lidhur me ngjarjen, sipas njoftimit të policisë, në pranga kanë rënë dy persona, Mirvete Rexhmati Gjuta dhe Vladimir Gjuta.

Ende në kërkim janë: Sajmir Gjuta, 49 vjeç, Elvir Gjuta, 24 vjeç.

Burime bëjnë me dije se 22-vjeçari Erisjaldo Gjuta, i dashuri i 18-vjeçares Natalie Murati, është i biri i Sajmir Gjutës dhe Mirvete Rexhmati Gjutës. Ndërkohë, Vladimir Gjuta është xhaxhai i 22-vjeçarit, ndërsa Elvir Gjuta, kushëri i tij.

Ndërkohë, vijon puna për gjetjen dhe sekuestrimin e armës së zjarrit të përdorur në ngjarje.

 

misteri i plagosje 18-vjecare tirane arrestohet nipi i vladimir gjutës

Lini një Përgjigje