Një 46-vjeçar shqiptar, i identifikuar si Arben Cristea, ka humbur jetën në Itali pas një plagosjeje të rëndë të pësuar gjatë arratisjes, teksa dyshohet se kishte hyrë për të grabitur një vilë bashkë me dy persona të tjerë. Ngjarja ka ndodhur në zonën e Gorellos, në provincën e Arezzos.
Sipas mediave italiane dhe burimeve hetimore, shqiptari u plagos aksidentalisht në përpjekje për t’u larguar nga vendi i ngjarjes, duke çarë arterien femorale pasi këmba iu ngul në një shtyllë hekuri me majë, pjesë e një gardhi të vendosur për të penguar derrat e egër të zbrisnin nga kodrat përreth.
Dinamika e ngjarjes
Raportohet se gjithçka nisi mbrëmjen e 13 shkurtit, kur në zonë u regjistrua një tentativë vjedhjeje në një kompleks vilash përgjatë rrugës rajonale 71, drejt Valdichiana-s. Sipas autoriteteve, hajdutët u zhvendosën nga një banesë në një tjetër, e cila ishte bosh pasi pronarët kishin dalë për darkë.

Në orën 20:39 u aktivizua sistemi i alarmit. Të afërm të familjes, që jetonin pranë, ndërhynë për të verifikuar situatën. Një i ri, sipas raportimeve, u përball me autorët, të cilët hodhën sendet e dyshuara të vjedhura, bizhuteri dhe sende argjendi dhe u larguan me shpejtësi.
Një prej familjarëve, që mbante armë me leje, qëlloi dy herë në ajër për t’i trembur. Sipas hetuesve, nuk ka indicie që viktima të jetë plagosur nga të shtënat me armë zjarri.
Plagosja fatale dhe gjetja e trupit
Gjatë arratisjes, 46-vjeçari dyshohet se ka kërcyer nga një tarracë dhe më pas është përplasur me gardhin metalik pranë një përroi. Shtylla me majë i ka shkaktuar një çarje të thellë në këmbë, duke prekur arterien femorale.
Sipas të dhënave paraprake, ai është zvarritur për rreth 50 metra, përpara se të shembej në një kopsht perimesh. Trupi i pajetë u gjet pas orës 02:00 të mëngjesit të 14 shkurtit, pas raportimeve për rënkime në errësirë.
Autopsia pritet të konfirmojë se shkaku i vdekjes ishte shoku hemorragjik si pasojë e gjakderdhjes masive.
Hetimet dhe reagimi i autoriteteve
Karabinierët kanë identifikuar viktimën përmes dokumenteve që ai mbante me vete. Ai me precedentë të mëparshëm penalë, kryesisht në fushën e vjedhjeve.
Ngjarja është klasifikuar si aksidentale dhe, sipas autoriteteve, nuk janë konstatuar parregullsi në veprimet e familjarëve që reaguan pas alarmit.
Hetimet po drejtohen nga zëvendësprokurorja Angela Masiello, ndërsa në vendngjarje ka qenë edhe prokurorja Ginfederica Dito. Ndërkohë, vijojnë kërkimet për dy bashkëpunëtorët e dyshuar.
Lini një Përgjigje