TAGS-AT E JAVËS

Kronike14 Shkurt 2026, 15:36

Shqiptari i njohur si "bankieri i karteleve" pastroi mbi 2 mln euro, gjobitet ‘Louis Vuitton’; zbulohet skema

Shkruar nga Pamfleti
Shqiptari i njohur si "bankieri i karteleve" pastroi mbi 2 mln euro,
Thanas Bako

Hetimi nisi në kuadër të një procedure më të gjerë për pastrim parash, ku doli në pah edhe emri i Thanas Bakos, 55 vjeç, i dënuar më herët për drejtimin e një strukture të paligjshme financiare.

Prokuroria holandeze ka gjobitur me 500 mijë euro degën në Holandë të Louis Vuitton për shkelje të rregullave kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Hetimi nisi në kuadër të një procedure më të gjerë për pastrim parash, ku doli në pah edhe emri i Thanas Bakos, 55 vjeç, i dënuar më herët për drejtimin e një strukture të paligjshme financiare.

Sipas autoriteteve, gjatë një periudhe disa vjeçare, kompania nuk verifikoi në mënyrë të plotë identitetin e klientëve që kryenin vazhdimisht blerje të mëdha me para në dorë. Çështja u mbyll me urdhër penal për të shmangur ngarkesën e mëtejshme të gjykatës në Roterdam.

Në qendër të skemës qëndron një 36 vjeçare nga Lelystad, e identifikuar si Bei W., e cila shpenzoi mbi 2 milionë euro mes gushtit 2021 dhe shkurtit 2023 në dyqane luksi, përfshirë Louis Vuitton. Ajo përdori disa pseudonime dhe adresa emaili dhe e mbajti çdo pagesë nën pragun 10 mijë euro, kufi që aktivizonte raportimin pranë Njësisë së Inteligjencës Financiare.

Autoritetet dyshojnë se ajo i dërgonte produktet në Kinë për rishitje, duke i paraqitur të ardhurat si tregti të ligjshme. Hetuesit sekuestruan mesazhe komunikimi, fatura dhe pamje filmike nga kamerat e sigurisë. Në banesën e saj gjetën edhe kuti të përgatitura për dërgesë.

Në këtë aktivitet dyshohet se e ndihmoi edhe një ish punonjëse e dyqanit, e cila e informonte për ardhjen e modeleve të reja dhe e këshillonte si të ndante blerjet për të shmangur detyrimet ligjore të raportimit.

Nga 1 janari 2026, legjislacioni holandez ndalon pagesat me para në dorë mbi 3 mijë euro. Prokuroria thekson se subjektet që tregtojnë produkte luksi kanë detyrime të njëjta me bankat për identifikimin e klientëve dhe raportimin e transaksioneve të dyshimta.

Ndërsa kompania pranoi gjobën, procesi gjyqësor ndaj 36 vjeçares, ish punonjëses dhe një personi të tretë vijon në Gjykatën e Qarkut të Roterdamit.

Roli i Thanas Bakos

Gjykata në Roterdam e dënoi Thanas Bakon në shtator 2024 me 7 vite burg për përfshirje në krim të organizuar dhe menaxhim të një rrjeti të gjerë transferimi parash. Autoritetet e arrestuan në Athinë me kërkesë të Holandës.

Sipas dosjes, ai drejtoi përmes komunikimeve të koduara një rrjet korrierësh që lëvizën rreth 246 milionë euro dhe paguan afro 248 milionë euro mes qershorit 2020 dhe marsit 2021. Rrjeti veproi nga disa ambiente në Holandë, përfshirë Wateringen dhe Amsterdam.

Korrierët përdornin automjete pune dhe mbanin profile të pastra penale. Ata transportonin para për klientë kriminalë kundrejt komisioneve. Për të verifikuar dorëzimin përdornin shenja identifikuese si kartëmonedha me numër serial të caktuar.

Një nga magazinat që shërbente për numërimin dhe ruajtjen e parave u përdor për grumbullimin e mbi 165 milionë eurove. Sipas prokurorisë, dy korrierë kryen rreth 200 transaksione me mesatare rreth 828 mijë euro secili.

Një episod i shkurtit 2021 përfshiu edhe një pengmarrje në një magazinë, ku persona të armatosur kërkuan para që i atribuoheshin rrjetit të Bakos. Policia identifikoi më pas automjetin e përdorur nga autorët.

Autoritetet e konsiderojnë strukturën e drejtuar prej tij si një mekanizëm të organizuar për transferimin dhe pastrimin e shumave të mëdha parash në disa vende.

 

thanas bako hetim

Lini një Përgjigje