Një tjetër ngjarje e rëndë ka ndodhur mesditën e sotme në Tiranë. Një person i plagosur është paraqitur ditën e sotme për ndihmë mjekësore në një spital privat.
Sipas burimeve paraprake, 30-vjeçari me inicialet J.M ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa rrethanat e plagosjes mbeten ende të paqarta. Sipas policisë, plagosja ka ndodhur në vendin e quajtur “Trekatshet", Kamëz.
Ngjarja është sinjalizuar pas një telefonate të mbërritur në Policinë e Shtetit, ku është raportuar për të shtëna me armë zjarri në zonën e kthesës së Kamzës.
Dyshohet se në zonë ka pasur shkëmbim zjarri, çka ka vënë në lëvizje menjëherë shërbimet e policisë. Por, gjatë kontrollit në terren, efektivët nuk kanë gjetur gëzhoja apo prova të tjera materiale që të konfirmojnë përdorimin e armës së zjarrit.
Ndërkohë, një person ka njoftuar Spitalin e Traumës se një i plagosur ishte duke shkuar drejt këtij institucioni, por deri në momentin e raportimit ai nuk ishte paraqitur aty. Bëhet me dije se i plagosuri është paraqitur në spitalin Hygeia në Tiranë. Autoritetet po punojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e personave të përfshirë.
Sipas raportimeve, i riu ka marrë një plagë në dorë, ndërsa pretendon se është plagosur tek kangjëllat, megjithatë mbetet për t’u verifikuar.
“Rreth orës 13:40, është paraqitur për mjekim në spital shtetasi J. M., rreth 30 vjeç, i dëmtuar në dorë, jashtë rrezikut për jetën. Paraprakisht dyshohet se ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur “Trekatshet” Kamëz. Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e rrethanave të rastit dhe dokumentimin e plotë të tij”, njofton policia.
Lini një Përgjigje