TAGS-AT E JAVËS

Kronike14 Shkurt 2026, 11:21

Plagosja e 18-vjeçares, dyshimet për manipulimin e ngjarjes; faktet e gazetarëve nxjerrin zbuluar policinë e Prodës

Shkruar nga Pamfleti
Plagosja e 18-vjeçares, dyshimet për manipulimin e ngjarjes; faktet
Pamje nga vendi i ngjarjes

Misteri i plagosjes së 18-vjeçares në Sauk dhe kontradita mes njoftimit zyrtar të policisë për ekzistencën e kamerave të sigurisë dhe raportimeve nga terreni.

Plagosja e 18-vjeçares Natalie Murtati në Tiranë ka ngritur dyshime për manipulimin e ngjarjes. Policia nxitoi që me një deklaratë zyrtare ta klasifikojë ngjarjen si një vetëplagosje, madje duke iu referuar pamjeve filmike të kamerave që ndodhen në hotelin ku ndodhi plagosja.

Por nga gazetarët që kanë raportuar mbi ngjarjen, janë ngritur dyshime mbi ekzistencën e kamerave të sigurisë. Në kushte të tilla, nëse një pretendim i tillë merret i mirëqënë, pyetje që lind është: ku i gjeti policia e Prodës pamjet filmike?

Në njoftimin zyrtar, policia theksoi se “nga veprimet e shpejta hetimore të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve kundër Jetës dhe Pronës, si dhe nga këqyrja e pamjeve të kamerave të sigurisë, rezultoi se ngjarja ka ndodhur në ambientet e një subjekti në Sauk, ku 18-vjeçarja dyshohet se është vetëplagosur me armë zjarri”.

Megjithatë, sipas raportimeve të gazetarëve në terren, në hotelin “Gjuta”, ku dyshohet se ndodhi plagosja, nuk ka pasur kamera sigurie. Po sipas këtyre burimeve, mungesa e tyre ka vështirësuar verifikimin e plotë të dinamikës së ngjarjes, duke lënë pa prova filmike momentin e incidentit.

18-vjeçarja ka deklaruar para hetuesve se është vetëplagosur, por burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se ekzistojnë dyshime edhe për mundësinë e një plagosjeje në rrethana të tjera. Kjo pistë, deri më tani, nuk është provuar.

Ndërkohë, anëtarët e familjes Gjuta, të cilët dyshohet se kanë fshehur fillimisht ngjarjen, kanë deklaruar paraprakisht se vepruan nga frika se vajza mund të humbiste jetën dhe se, për shkak se tentativa për vetëvrasje ndodhi në ambientet e biznesit të tyre, përgjegjësia penale mund t’u faturohej atyre.

Këto zhvillime shtojnë paqartësitë mbi versionin zyrtar dhe rrethanat reale të ngjarjes, ndërsa pritet një sqarim i mëtejshëm nga autoritetet lidhur me referencën për kamerat e sigurisë dhe ecurinë e hetimeve.

Masat e marra nga policia lidhur me ngjarjen:

Janë arrestuar në flagrancë:

• Mirvete Rexhmati Gjuta, 48 vjeçe
• Vladimir Gjuta, 46 vjeç

Të dy akuzohen për veprat penale “Moskallëzim i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Ndërkohë janë shpallur në kërkim:

• Sajmir Gjuta, 49 vjeç
• Elvir Gjuta, 24 vjeç
• Erisjaldo Gjuta, 22 vjeç/ Pamfleti

 

1 Komente

  1. P
    Pal

    Nuk e kuptoj ku është interesi juaj për kundërvanje ndaj policisë pa prova. Policia thotë nga kamerat e sigurisë dhe hetimi u gjet se ku ka ndodhur ngjarja dhe jo si ndodhi .

    Lini një Përgjigje