TAGS-AT E JAVËS

Kronike14 Shkurt 2026, 09:35

“Menduam se do na akuzonin ne”, çfarë deklaroi familja Gjuta para hetuesve

Shkruar nga Pamfleti

“Menduam se do na akuzonin ne”, çfarë deklaroi familja

Zbardhen të tjera detaje nga plagosja me armë zjarri të një 18-vjeçareje në ambientet e hotel “Gjuta”, në zonën e Saukut, ngjarje e regjistruar rreth mesnatës.

Sipas të dhënave hetimore, e reja Natalia.K dyshohet se është vetëplagosur me një plumb në gjoks. Ajo është transportuar me urgjencë drejt spitalit, ku i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale dhe aktualisht ndodhet në gjendje të qëndrueshme shëndetësore.

Në dëshminë e dhënë pas ndërhyrjes mjekësore, 18-vjeçarja ka deklaruar se akti ishte i qëllimshëm, duke u shprehur se kishte “gabime në jetë” dhe se kishte dashur t’i jepte fund jetës. Megjithatë, rrethanat e plota të ngjarjes vijojnë të jenë objekt hetimi.

Në momentin e ngjarjes, në dhomën e hotelit ndodhej edhe 22-vjeçari Erisjaldo Gjuta, i cili rezulton të jetë i dashuri i saj. Ai është shpallur në kërkim nga policia, së bashku me babanë e tij, Sajmir Gjuta, dhe kushëririn, Elvir Gjuta. Ky i fundit dyshohet se ka shoqëruar 18-vjeçaren drejt spitalit bashkë me nënën e 22-vjeçarit.

Ndërkohë, në pranga kanë rënë Mirvete Gjuta dhe xhaxhai i 22-vjeçarit, Vladimir Gjuta. Të gjithë personat e arrestuar dhe ata të shpallur në kërkim akuzohen për veprat penale “Moskallëzim krimi” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Për 22-vjeçarin Erisjaldo Gjuta rëndon gjithashtu edhe akuza e “Armëmbajtjes pa leje”.

Sipas burimeve hetimore, familjarët dyshohet se kanë tentuar të fshehin ngjarjen, me pretendimin se kishin frikë nga pasojat ligjore, pasi tentativa për vetëvrasje ndodhi në ambientet e biznesit të tyre.

Hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht dinamikën e ngjarjes dhe përgjegjësinë e secilit prej personave të përfshirë.

Lini një Përgjigje