TAGS-AT E JAVËS

Kronike14 Shkurt 2026, 09:05

Plagosja në Tiranë, arma dyshohet se i përkiste të riut; kush është Vladimir Gjuta i arrestuar nga policia

Shkruar nga Pamfleti
Plagosja në Tiranë, arma dyshohet se i përkiste të riut;
Vladimir Gjuta

Një 18-vjeçare është gjetur e plagosur me armë zjarri në një hotel pranë rrethrrotullimit të Fakultetit të Ekonomikut në Tiranë.

Fillimisht u raportua se e reja ishte konstatuar e lënduar në këtë zonë, ndërsa hetimet e mëtejshme kanë zbardhur dinamikën paraprake të ngjarjes.

Sipas Policisë së Tiranës, nga këqyrja e pamjeve të kamerave të sigurisë ka rezultuar se ngjarja ka ndodhur në ambientet e një hoteli në zonën e Saukut, ku 18-vjeçarja, me iniciale N.K., dyshohet se është vetëplagosur me armë zjarri në gjoks.

Pas ngjarjes, e reja është transportuar në spital rreth orës 00:15 nga shtetasja Mirvete Rexhmati (Gjuta), 48 vjeçe, dhe shtetasi E. Gj., 24 vjeç. 

Në vijim të hetimeve, 48-vjeçarja, së bashku me Vladimir Gjutën, janë arrestuar nga policia, ndërsa tre persona të tjerë janë shpallur në kërkim. Ndaj pesë shtetasve rëndojnë akuzat për veprat penale “Moskallëzim i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Ndërkohë, një prej personave të shpallur në kërkim, shtetasi E. Gj., 22 vjeç, i cili sipas burimeve rezulton të jetë i dashuri i 18-vjeçares, akuzohet edhe për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”. Raportohet se, arma e krimit ka qenë e 22-vjeçarit që është shpallur në kërkim. 

Hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të dokumentuar përgjegjësinë ligjore të personave të përfshirë.

Kush është Vladimir Gjuta, i arrestuar nga policia

Në prill të vitit 2021 Gjykata e Tiranës e ka dënuar me 5 vite burg Vladimir Gjutën, i arrestuar në shkurt të vitit 2020 pasi kishte një armë me vete pranë selisë së Partisë Socialiste.

Pas arrestimit, Gjuta u akuzua për “mbajtje pa leje të armëve luftarake” dhe për “mbajtje pa leje të armëve të ftohta”.

Vladimir Gjuta është një emër i njohur i botës së krimit, pasi akuzohet se disa vite më parë është përfshirë në një konflikt me ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri dhe ështe ndër autorët e vendosjes së sasisë së tritolit ndaj farmacisë së babait të ish-ministrit.

"Më datë 14.02.2026, rreth orës 00:15, në spital është paraqitur e plagosur me armë zjarri shtetasja N. K., 18 vjeçe, e cila ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Nga veprimet e shpejta hetimore të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve kundër Jetës dhe Pronës, si dhe nga kqyrja e pamjeve të kamerave të sigurisë, rezultoi se ngjarja ka ndodhur në ambientet e një subjekti në Sauk, ku 18-vjeçarja dyshohet se është vetëplagosur me armë zjarri.

E dëmtuara është transportuar në spital nga shtetasja M. R. (Gj) dhe shtetasi E. Gj., 24 vjeç.

Në vijim të veprimeve procedurale:

-u arrestuan në flagrancë shtetasit V. Gj., 46 vjeç dhe M. R. (Gj), 48 vjeçe, për veprat penale “Moskallëzim i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”;

-u shpallën në kërkim shtetasit S. Gj., 49 vjeç, dhe E. Gj., 24 vjeç, për veprat penale “Moskallëzim i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, si dhe shtetasi E. Gj., 22 vjeç, për veprat penale “Moskallëzim i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Këta shtetas dyshohet se kanë prishur provat në vendin e ngjarjes dhe nuk kanë kallëzuar krimin.

Vijon puna për gjetjen dhe sekuestrimin e armës së zjarrit të përdorur në ngjarje, si dhe për kapjen e 3 shtetasve të shpallur në kërkim, me qëllim dokumentimin e plotë ligjor të rastit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme", njoftoi policia.

Lini një Përgjigje