
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme, ku një 18-vjeçare është plagosur me armë zjarri në Tiranë.
Zbardhen detaje të reja nga plagosja e 18-vjeçares, e cila u gjet e plagosur me armë zjarri mbrëmjen e djeshme në kryeqytet.
Sipas informacioneve paraprake, raportohet se ngjarja ka ndodhur pak pas mesnate, në ambientet e një hoteli në zonën e Saukut.
Nga të dhënat e para mësohet se vajza është transportuar me urgjencë drejt spitalit nga një punonjës i hotelit, i cili ka ndërhyrë menjëherë pas konstatimit të ngjarjes. Vajza ka dalë vetë nga dhoma e hotelit për të kërkuar ndihmë.
Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se 18-vjeçarja është plagosur me armë zjarri në gjoks dhe po merr trajtim mjekësor, ndërsa gjendja e saj shëndetësore nuk është bërë ende e ditur.
Identiteti i vajzës nuk është konfirmuar zyrtarisht, por mësohet se ajo është studente. Ndërkohë, autori i dyshuar i plagosjes nuk është identifikuar ende dhe, sipas të dhënave paraprake, është larguar menjëherë nga vendngjarja pas incidentit.
Një nga hipotezat e ngritura është edhe vetëplagosja e 18-vjeçares, pistë që po hetohet edhe nga grupi hetimor.
Forca të shumta policie kanë mbërritur në zonë dhe kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave të ngjarjes. Hetuesit po punojnë për sigurimin e pamjeve filmike nga kamerat e sigurisë së hotelit dhe zonës përreth, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Autoritetet pritet të japin më shumë detaje zyrtare në vijim, ndërsa hetimet po vijojnë.
Lini një Përgjigje