Gjykata Penale e Tiranës ka caktuar masat e sigurisë për protestuesit e mitur që u ndaluan nga policia në protestën e 10 shkurtit.
Gjykata vendosi masën e sigurisë “detyrim paraqitje” një herë në muaj për 7 personat e ndaluar, pas incidenteve që ndodhën me hedhjen e fishekzjarrëve dhe molotovëve ndaj policisë, kryesisht në afërsi të Parlamentit.
Seanca e masave të sigurisë për to është veçuar nga ajo e masave të sigurisë për 17 të arrestuarit e tjerë, të moshës nga 18 në 36 vjecc.
Ndaj të miturve dhe personave të tjerë të ndaluar janë ngritur akuzat për plagosje të rëndë me dashje, prishje të rendit dhe qetësisë publike, shkelje e rregullave për lëndët djegëse, shkatërrim i pronës me zjarr, dhe kundërshtim i policisë.
Si pasojë e përplasjeve, policia ka njoftuar për lëndimin e 16 efektivëve, ndërkohë që nuk ka të dhëna se sa qytetarë mbetën të dëmtuar si pasojë e gazit lotsjellës, topave të ujit apo spray me piper që është hedhur masivisht.
Në hetim për protestën janë vënë 4 deputetët, Luan Baçi, Belind Këlliçi, Flamur Noka dhe Luçiano Boçi, si edhe sekretari organizativ Ervin Minarolli.
Protesta e 10 shkurtit nisi në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për t’u zhvendosur para godinës së Parlamentit, atje ku u regjistruan edhe përplasjet më të forta mes policisë dhe protestuesve. Protestuesit hodhën në drejtim të policisë molotovë dhe sende të forta, ndërsa policia u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës, topa uji, shkopinj gome. Gjatë përplasjeve mbeti i dëmtuar edhe deputeti Bledion Nallbati, i cili u godit nga efektivë policie në një mësymje të tyre ndaj protestuesve.
Lini një Përgjigje