Autoritetet belge arrestuan në qytetin Leuven një 40-vjeçar shqiptar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar me urdhër-arrest evropian të lëshuar nga Prokuroria e Perugias. Ai fshihej në Belgjikë për t’iu shmangur vuajtjes së dënimit të mbetur prej 4 vitesh e 11 muajsh burg.
Sipas Prokurorisë së Përgjithshme, ai mori pjesë në një organizatë kriminale me aktivitet në trafikun ndërkombëtar të drogës.
Hetimet e lidhin me ngjarje të vitit 2006, kur në bashkëpunim me persona të tjerë dyshohet se transportoi 20 kilogramë heroinë nga Shqipëria drejt Italisë.
Grupi operonte kryesisht në zonën e Peskarës dhe në disa komuna përreth. Nga sasia e trafikuar, 12 kilogramë ishin destinuar për tregun e Ravenës, ndërsa 8 kilogramë të tjerë u dërguan jashtë Italisë për të shmangur ndërhyrjen e menjëhershme të autoriteteve.
Karabinierët e Grupit të Operacioneve Speciale çuan përpara hetimin që përfundoi në vitin 2013 me shpërbërjen e organizatës. Në atë operacion u arrestuan 71 persona dhe u sekuestruan rreth 7 kuintalë heroinë dhe marihuanë me origjinë nga Ballkani.
40-vjeçari humbi gjurmët në qershor 2025. Prokuroria e Perugias, në bashkëpunim me strukturat e specializuara dhe shërbimet e bashkëpunimit ndërkombëtar policor, rindërtoi lëvizjet e tij. Fillimisht ai u lokalizua në Recife të Brazilit. Hetimet e mëtejshme e çuan në zonën Heverlee në Belgjikë, ku jeton familja e tij.
Arrestimi u realizua në Leuven në kuadër të një operacioni të koordinuar mes autoriteteve. Aktualisht ai ndodhet në paraburgim në Belgjikë dhe pret procedurat për ekstradim drejt Italisë.
Lini një Përgjigje