TAGS-AT E JAVËS

Kronike13 Tetor 2025, 16:29

Me disa emra dhe i shpallur i vdekur në Amerikën Latine, kush është pronari i apartamentit që u sekuestrua në Shkodër

Shkruar nga Pamfleti

Me disa emra dhe i shpallur i vdekur në Amerikën Latine, kush

Prokuroria e Shkodrës i ka sekuestruar një apartament në Shkodër, shtetasit Leonard Mnella alias Leon Kolmnela alias Leonard Kolmnela, i dënuar për drogë në SHBA.

54-vjeçari rezulton i dënuar me 25 vjet burg edhe autoritetet gjyqësore italiane, për bashkëpunim në organizatë kriminale, rrëmbim personi, tentativë zhvatjeje dhe trafik kokaine.

Leonard Mnella ndërkohë që ishte në arrati, në vitin 2013, kishte arritur që nëpërmjet një vendimi gjyqësor të leshuar nga një Gjykatë shqiptare, të deklarohej i vdekur që në vitin 2003, në Amerikën Latine.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, në kuadër të hetimeve që janë zhvilluar për veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287/2 i Kodit Penal, ka vendosur masën e sekuestros preventive mbi një pasuri të paluajtshme.

Masa e sekuestros është vendosur mbi pasurinë e paluajtshme:

• Lloji: Apartament

• Sipërfaqja: 103.4 m²

• Adresa: Lagjja “Vasil Shanto”, Shkodër

Nga hetimet e deritanishme rezulton se shtetasi Leonard Mnella alias Leon Kolmnela alias Leonard Kolmnela, i datëlindjes 14.03.1969, në bashkëpunim me shtetasen J. N, dyshohet se kanë konsumuar elementët e veprës penale të sipërcituar. Sipas provave të administruara, pasuria është blerë nga shtetasja J. N me fonde të dyshuara të ardhura nga veprimtari kriminale, të transferuara më parë nga shtetasi L.M.

Po ashtu, kjo shtetase nuk rezulton të ketë burime të ligjshme të të ardhurave që të justifikojnë investimin. Shtetasi L. M është dënuar nga Gjykata e Distriktit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Distrikti Jugor i Neë York, për vepra penale në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike, kryer në bashkëpunim.

Gjithashtu, ky shtetas ishte në kërkim nga Interpol Roma pasi me vendimin nr.71/05 1044/05R.G.C.A, datë 07.10.2005 të Gjykatës së Apelit të Salernos është dënuar me 25 vjet burg për veprat penale të “Organizatë kriminale, drogë, pengmarrje, heqje e paligjshme e lirisë dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”.

Gjykata ka pranuar kërkesën e Prokurorisë për vendosjen e masës së sekuestros preventive, me qëllim parandalimin e tjetërsimit të pasurisë dhe ruajtjen e saj për konfiskim të mundshëm në përfundim të procesit penal.”-njofton Prokuroria.

Lini një Përgjigje