TAGS-AT E JAVËS

Kronike13 Nëntor 2024, 11:10

Laert Haxhiu në burg përjetë, Dumani i rendit krimet në seancë: Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha u vranë pa faj, shënjestra ishte Xhuljo Shkurti

Shkruar nga Pamfleti

Laert Haxhiu në burg përjetë, Dumani i rendit krimet në

Dumani është shprehur se vendimi i Shkallës së Parë është i drejtë duke renditur në sallë vrasjet e Laert Haxhiut.

Apeli i Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në fuqi dënimin e Shkallës së Parë ndaj Laert Haxhiut, burgim të përjetshëm, të shpallur fajtor për masakrën e Lushnjes në vitin 2017 me dy të vrarë.

Laert Haxhiu kundërshtoi vendimin e shkallës së parë për dënimin e tij me burg përjetë.

Të pranishëm në sallë gjatë zhvillimit të seancës ishin vetëm kreu i SPAK, Altin Dumani dhe avokati Detar Hysi, mungonte i pandehuri Laert Haxhiu.

Në seancë, avokati Detar Hysi ka kërkuar zbardhjen e të gjithë të vërtetës dhe ndryshimin e vendimit për burgim të përjetshëm.

Sipas tij, Laert Haxhiu është i pafajshëm dhe çështja duhet gjykuar edhe një herë në shkallë të parë me trup tjetër gjykuese.

"I kërkoj gjykatës të vlerësojë me objektivitet ankimin tonë, duke bërë të mundur zbardhjen e të vërtetës. I kërkojmë gjykatës ndryshimin e vendimit të GJKKO për shpalljen fajtor të Laert Haxhiut. Kërkojmë deklarimin e pafajshëm të Laert Haxhiut. Ose në alternativë kërkojmë prishjen e vendimit të shkallës së parë dhe dërgimin e çështjes në të njëjtën gjykatë me tjetër trupë gjykuese", tha avokati i Haxhiut.

Ndërsa Dumani është shprehur se vendimi i Shkallës së Parë është i drejtë duke renditur në sallë vrasjet e Laert Haxhiut.

Kreu i SPAK theksoi se mes Laert Haxhiut dhe Xhuljo Shkurtit ka patur një konflikt që ka zgjatur prej vitesh.

Dumani sqaroi se si grupi i Laert Haxhiut siguroi informacion për hyrjen e Xhuljo Shkurtit në Shqipëri me të cilin kishte konflikt të gjatë.

"Vendimi i shkallës së parë është vendim i drejtë, ndaj duhet lërë në fuqi. Janë trajtuar si provat e prokurorisë ashtu edhe provat e kërkuara nga ana e mbrojtjes. Sa i takon zbatimit të ligjit, ne gjykojmë se është vendim i drejtë. Sa i takon pretendimit të te pandehurit dhe mbrojtjes së tij për riçelje të shqyrtimit gjyqësor, ne vlerësojmë se kjo gjykatë me te drejte rrëzoi kërkesën. Prokuroria i është referuar pamjeve filmike në pikën e karburantit Gulf, jo pamjeve të sjella nga babai i Zamir Latifit. Nuk ka vend për vërtetësinë e provës.

Edhe për pamjet filmike janë pyetur dëshmitarët e thirrur nga mbrojtja dhe nga akuza. Vrasja e Zamir Latifit dhe e Jurgen Hoxhës, nuk kishte asnjë motiv, por u bë për shkak se shënjestër ishte Xhuljo Shkurti, për shkak të konfliktit që Laert Haxhiu kishte me këtë të fundit. I pandehuri në mënyrë te përsëritur në shkallë te parë dhe këtu ne Apel nga mbrojtësi dëgjuam që nuk jemi përpara një grupi kriminal. Në sqarojmë se u provua ekzistenca e grupit të strukturuar kriminal. Mes Laert Hazhiut dhe Xhuljo Shkurtit ka patur konflikt qe ka zgjatur ndër vite.

Vrasja e Zamir Latifit dhe e Jurgen Hoxhës, nuk kishte asnjë motiv, por u bë për shkak se shënjestër ishte Xhuljo Shkurti, për shkak të konfliktit që Laert Haxhiu kishte me këtë të fundit", tha Dumani.

Pasi u dëgjuan pretendimet e palëve Apeli i GJKKO-së vendosi të lërë në fuqi burgimin përjetë për Laert Haxhiun.

Haxhiu është dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Posaçme më 24 prill të këtij viti, për atë që është cilësuar si “Masakra e Lushnjes”, ngjarje e shënuar në vititn 2017, ku dy persona mbetën të vrarë dhe dy të tjerë të plagosur.

Dënimi ndaj tij u dha për kryerjen e një sërë veprash penale si “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prishja e qetësisë publike”.

 

laert haxhiu vrasje dumani

Lini një Përgjigje