TAGS-AT E JAVËS

Kronike 7 Mars 2026, 11:37

Kontrollet e RENEA-s në Vlorë, gjenden fishekë dhe telefona në banesat e grupit kriminal

Shkruar nga Pamfleti
Kontrollet e RENEA-s në Vlorë, gjenden fishekë dhe telefona
Pamje nga aksioni në Vlorë

Zbardhen detaje të reja nga operacioni i zhvilluar nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) në zonën e “Ujit të Ftohtë” në Vlorë, i cili synon goditjen e një grupi kriminal të lidhur me Inez Hajrullën, i konsideruar nga hetuesit si pasues i Edison Harizajt.

Bëhet me dije se gjatë kontrolleve të kryera nga forcat RENEA dhe FNSH në disa banesa në Vlorë janë sekuestruar fishekë dhe një numër i madh telefonash celularë, që dyshohet se do të shërbejnë për hetimet e mëtejshme.

Në kuadër të këtij operacioni, SPAK ka lëshuar urdhër-arreste për Inez Hajrullën dhe bashkëpunëtorin e tij të afërt, Ervis Matodoshaj. Megjithatë, deri më tani të dy nuk janë vënë ende në pranga.

Sipas SPAK, bazuar jo vetëm në komunikimet e zbërthyera nga platforma e koduar Sky ECC, por edhe në dëshmi të mbledhura gjatë hetimeve, Hajrulla dhe Matodoshaj dyshohet se kanë organizuar dhe realizuar vrasjen e Gentian Qarrit në shkurt të vitit 2021 në Vlorë.

Ndërkohë, në këtë dosje është përfshirë edhe Flodian Plaku, ndaj të cilit është ngritur një akuzë e re për trafik ndërkombëtar të kokainës. Plaku ndodhet aktualisht në paraburgim të sigurisë së lartë dhe po gjykohet për vrasjen e Gentjan Bejtjas.

Në total janë lëshuar urdhër-arreste për katër persona të tjerë. Njëri prej tyre ndodhej tashmë në paraburgim dhe i është komunikuar akuza, dy rezultojnë të arrestuar në Itali, ndërsa një tjetër është ndaluar në Janinë të Greqisë.

Inez Hajrulla konsiderohet nga policia si një person me profil të lartë kriminal. Ai i ka shpëtuar edhe dy atentateve në të kaluarën, një në vitin 2017 dhe një tjetër në vitin 2019.

Lini një Përgjigje