
Autoritetet zbulojnë lidhje mes kartelit ekuadorian “Los Lobos” dhe mafies shqiptare
Një operacion i gjerë policor në Ekuador ka çmontuar një rrjet të fuqishëm të trafikimit të kokainës që vepronte midis Amerikës Latine dhe Evropës, me përfshirjen e organizatës kriminale ekuadoriane Los Lobos dhe financuesve të dyshuar nga mafia shqiptare, shkruan "Primicias".
Operacioni i koduar “Costa” erdhi pas gati dy vitesh hetimesh që nisën në qershor të vitit 2024, kur autoritetet morën informacion për një organizatë të përbërë nga shtetas ekuadorianë dhe kolumbianë që përdornin eksportet e bananeve për të dërguar kokainë në Evropë.
Sipas Prokurorisë ekuadoriane, rrjeti vepronte kryesisht në provincat Guayas dhe El Oro, zona të njohura për prodhimin dhe eksportin e bananeve.
Si funksiononte skema e trafikut
Hetimet zbuluan se organizata përdorte qendra paketimi bananesh për të fshehur kokainën në kutitë e eksportit. Droga vendosej brenda pakove të vulosura me logo të markave luksoze si YSL, Louis Vuitton, Rolex dhe Philipp Plein, një metodë e zakonshme për të identifikuar ngarkesat mes grupeve kriminale.
Një nga episodet kyçe ndodhi më 16 tetor 2024, kur policia bastisi një qendër paketimi në sektorin Parlamento. Në vendngjarje u gjetën 25 kuti bananesh të markës “Anthony Bananas”, të cilat përmbanin 499 kilogramë kokainë.
Megjithatë, pavarësisht arrestimeve fillestare, disa nga të dyshuarit u liruan më vonë nga drejtësia lokale, ndërsa agjentët e inteligjencës vazhduan monitorimin e rrjetit.
Hyrja e financuesve shqiptarë
Sipas hetuesve, në fillim të vitit 2025 organizata ristrukturoi aktivitetin dhe në skenë hynë financues evropianë, mes tyre dy shtetas shqiptarë: Donald Lalaj dhe Mario Gjeci.
Ata u takuan në Ekuador me Hernán Vicente Ruilova, një figurë kyçe në logjistikën e trafikut. Përmes përgjimeve telefonike, autoritetet zbuluan se Ruilova koordinonte transportin e drogës dhe qarkullimin e parave me drejtues të kompanive eksportuese të bananeve.
Hetimi zbuloi gjithashtu një rrjet financiar që përfshinte investime të dyshuara deri në 500 mijë dollarë për të pastruar kapitalin e paligjshëm.
Dërgesa e kontrolluar në Evropë
Një nga operacionet më të rëndësishme u zhvillua në shkurt 2025, kur një ngarkesë bananesh u nis nga porti Puerto Bolívar drejt Holandës me anijen Atlantic Reefer.
Autoritetet ekuadoriane njoftuan Europol dhe DEA, të cilat vendosën të kryejnë një dërgesë të kontrolluar për të identifikuar marrësit e drogës në Evropë.
Më 27 shkurt 2025, në portin Vlissingen, qentë antidrogë zbuluan kokainën. Në vend që ta sekuestronin menjëherë, autoritetet ndoqën ngarkesën deri në një depo në Ulvenhout, ku u arrestuan pesë shtetas evropianë.
Në total u sekuestruan 2.5 ton kokainë, të ndarë në 2,598 pako.
Dyshime për përfshirje biznesmenësh dhe politikanësh
Hetimi përfshiu gjithashtu drejtues të kompanive eksportuese të bananeve, përfshirë:
-drejtues të kompanisë Exporban
-drejtues të kompanisë Fruta Rica (Frutaric)
-ish anëtarin e Asamblesë Kombëtare të Ekuadorit Jorge Fadul Franco
Sipas Prokurorisë, lidhjet e tyre me rrjetin bazohen kryesisht në komunikime telefonike dhe marrëdhënie biznesi me personatë përfshirë në logjistikën e trafikut.
Avokatët mbrojtës kanë kundërshtuar këto akuza, duke argumentuar se klientët e tyre janë përfshirë vetëm për shkak të pozicioneve drejtuese në kompani dhe jo për veprimtari kriminale direkte.
Masa sigurie për të dyshuarit
Më 4 mars 2026, gjatë seancës gjyqësore, prokuroria identifikoi tre drejtues kryesorë të organizatës dhe 13 bashkëpunëtorë.
Gjykatësi vendosi paraburgim për shumicën e të dyshuarve, duke argumentuar se struktura kriminale kishte fuqi të konsiderueshme ekonomike dhe rrezik për t’iu shmangur drejtësisë.
Dy prej të pandehurve, përfshirë ish-deputetin Fadul Franco, u vendosën në arrest shtëpiak për arsye shëndetësore.
Lini një Përgjigje