Prokuroria spanjolle ka kërkuar një dënim me 22 vite burg për shtetasin italian Marco Romeo, i akuzuar për vrasjen e partneres së tij shqiptare, Sibora Gagani. Ngjarja e rëndë ndodhi në qytetin e Torremolinos të Spanjës gjatë verës së vitit 2014.
Sipas aktakuzës, dy të rinjtë u njohën në Itali në vitin 2009 dhe një vit më pas, në 2010, u transferuan për të jetuar së bashku në Torremolinos. Pas një periudhe ndarjeje, në korrik të vitit 2014 ata vendosën të bashkëjetonin sërish në një apartament në zonën El Calvario.
Prokuroria pretendon se, në një moment mes 7 dhe 14 korrikut 2014, i pandehuri e sulmoi 22-vjeçaren brenda banesës me një mjet të mprehtë, duke i shkaktuar të paktën katër plagë, tre prej të cilave në shpinë, që rezultuan fatale.
Pas kryerjes së krimit, sipas hetimeve, Romeo dyshohet se ndërmori hapa për të fshehur trupin e viktimës brenda apartamentit.
Ai dyshohet se ndërtoi një strukturë të improvizuar duke përdorur dru, qese plastike, rërë dhe një substancë bazike, që mendohet të ketë qenë gëlqere, me qëllim izolimin e trupit dhe shmangien e përhapjes së erërave.
Lini një Përgjigje