Dy persona të shpallur në kërkim nga Policia e Tiranës, pas plagosjes me armë zjarri të një 18-vjeçareje në ambientet e Hotel Gjuta, janë arrestuar nga uniformat blu. Bëhet fjalë për Sajmir Gjuta dhe Elvir Gjuta, për të cilët është vendosur që hetimi të vijojë në gjendje të lirë.
Sajmir Gjuta, 49 vjeç, është babai i Erisjaldo Gjuta, 22-vjeçarit që dyshohet si i përfshirë në ngjarje dhe që aktualisht ndodhet në burg. Ndërsa Elvir Gjuta është kushëriri i tij.
Të dy akuzohen për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Sipas hetimeve, pas plagosjes së të resë, Elvir Gjuta e ka shoqëruar 18-vjeçaren në spital së bashku me nënën e 22-vjeçarit. Kur janë pyetur nga autoritetet për rrethanat e ngjarjes, ata kanë deklaruar se nuk e njihnin vajzën dhe se e kishin gjetur të shtrirë pranë rrethrrotullimit te Fakulteti i Ekonomikut.
Megjithatë, hetimet e mëvonshme të policisë kanë zbuluar se vendi ku ndodhi plagosja ishte në fakt Hotel Gjuta, ku dyshohet se disa anëtarë të familjes kanë tentuar të fshijnë gjurmët e krimit, përfshirë edhe armën e zjarrit, e cila ende nuk është gjetur.
“Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë
Specialistët për Hetimin e Krimeve kundër Jetës dhe Pronës kapën shtetasit S. Gj. dhe E. Gj., të cilët ishin shpallur në kërkim për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, kryer në bashkëpunim, për ngjarjen e ndodhur më datë 14.02.2026, në Sauk, ku u vetëplagos një 18-vjeçare. Pas konsultimit me Prokurorin, u vendos që këta shtetas të hetohen në gjendje të lirë”, njofton policia.
Lini një Përgjigje