TAGS-AT E JAVËS

Kronike 7 Mars 2026, 08:21

Aksioni në Vlorë/ SPAK lëshon 7 urdhër-arreste, mes tyre “Pole Qorri” dhe Ervis Matodoshaj

Shkruar nga Pamfleti
Aksioni në Vlorë/ SPAK lëshon 7 urdhër-arreste, mes tyre
Pamje nga aksioni

SPAK ka lëshuar 7 urdhër-arreste për krime të rënda, mes tyre edhe Flodian Plaku dhe Ervis Matodoshaj.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka lëshuar shtatë urdhër-arreste në kuadër të një hetimi për krime të rënda.

Bëhet me dije se mes personave për të cilët është firmosur masa e arrestit janë Flodian Plaku dhe Ervis Matodoshaj.

Burime pranë hetimit bëjnë me dije se disa nga personat e përfshirë në këtë operacion ndodhen jashtë vendit. Dy prej tyre rezultojnë të arrestuar më herët në Itali, ndërsa një tjetër është ndaluar në Janinë të Greqisë.

Sipas të njëjtave burime, operacioni i SPAK është zhvilluar pas zbardhjes së një ngjarjeje të rëndë kriminale, konkretisht një vrasjeje, e cila dyshohet se ka çuar në identifikimin e personave të përfshirë.

Raportohet gjithashtu se SPAK ka zbardhur ekzekutimin e Gentian Qarrit, ngjarje e ndodhur në vitin 2021. Ndërkohë janë lëshuar urdhër arreste edhe për Ines Hajrulla dhe Ervis Hajrullah.

Burime nga policia e Vlorës bëjnë me dije se prej kohësh eksponentë të dyshuar kriminal janë mbajtur nën vëzhgim. Policia ka ndërhyrë sot në zonën e Ujit të Ftohtë ku është rrethuar një perimetër i gjerë i sigurisë.

Gjatë aksionit po kontrollohen banesat, si edhe persona të dyshuar për precedentë kriminalë. Sipas burimeve dyshohet se janë lëshuar 7 urrdhërarreste.

Aksioni është bërë nga forcat RENEA dhe SPAK dhe më pas është lajmëruar policia e Vlorës për mbështetje. Po ashtu, prezente është edhe Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH).

Aksioni në Vlorë/ SPAK lëshon 7 urdhër-arreste, mes tyre
RENEA dhe FNSH blindojnë Vlorën

Kush është Flodian Plaku?

Flodian Plaku, nga Vlora, i njohur me nofkën “Pole Qorri” dyshohet të jetë një prej autorëve të vrasjes së Gentjan Bejta, më 15 mars 2025 në Larushkë te Krujës.

Plaku që mban edhe mbiemrat Mamo dhe Serjani u arrestua në Orikum në gusht të vitit 2025 pasi ishte shpallur në kërkim për vrasjen Bejtjas. 

Flodian Plaku u gjend në shoqërinë e Julian Aliajt, i cili po ashtu u arrestua dhe me vete mbante një pistoletë. Aliaj ka qenë i arrestuar më parë për trafik lëndësh narkotike.

Pëeveç Plakut dhe Aliajt gjatë operacionit "Eterna" u arrestuan edhe Lapshi e Dano, si dhe pronari i hotelit ku qëndronte "Pole Qorri", Ligor Doko. Ata akuzohen për veprën penale "përkrahje e autorit të krimit".

Rohan Brahimi alias Sidorel Prendi, i vrarë më 9 maj 2024 në Athinë të Greqisë, rezulton se ka lidhje familjare me të arrestuarin Ilir Beqaraj të cilit i është shtuar edhe akuza e “vrasjes me paramendim” pasi dyshohet se ka marrë pjesë direkte në vrasjen e Gentjan Bejtjes.

Hetuesit dyshojnë se Brahimi, ka pajtuar Flodian Plakun dhe Ilir Beqarajn për të ekzekutuar Gentjan Bejtajn për llogari të palëve të treta që ndodhen në Nikël.

Identifikimi i Florian Plakut si pjesëmarrës në vrasje është kryer përmes një mbetje ADN të gjetur në makinën ‘Golf 7’. Po me këtë makinë u gjetën edhe gjurmët e Gentjan Beqarajt dhe Edison Haxhiut, të cilën e përdorën për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.

Kush është Ervis Matodoshaj?

Hetimet e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) kanë zbardhur një plan për vrasjen e shtetasit Ervis Matodoshaj në qytetin e Vlorës.

Sipas dosjes hetimore, Leonard Luzi dyshohet se ka organizuar dhe financuar një grup të strukturuar kriminal me qëllim eliminimin e Matodoshajt. Motivi i dyshuar i konfliktit lidhet me përplasjet për aktivitetin e lojërave të fatit.

Në këtë grup kriminal, sipas SPAK, bënin pjesë Amarildo Nikolli në rolin e ekzekutorit, si dhe Muharem Koroveshi dhe Erio Zejno, të cilët dyshohet se kishin rol ndihmës në organizimin dhe realizimin e atentatit. Zejno rezulton ende në kërkim.

Sipas hetimit, Koroveshi dhe Zejno kanë siguruar armët dhe i kanë dërguar në banesën e Amarildo Nikollit në Vlorë. Ata dyshohet gjithashtu se kanë ndihmuar në identifikimin e objektivit dhe në planifikimin e largimit të autorit nga vendi i ngjarjes pas atentatit.

Plani për vrasjen e Ervis Matodoshajt nuk u realizua pasi më 7 gusht 2023, rreth orës 12:47, në lagjen “Uji i Ftohtë” në Vlorë, policia ndaloi Amarildo Nikollin gjatë një kontrolli fizik. Atij iu gjet dhe sekuestrua një pistoletë me silenciator, me karikator të mbushur me 14 fishekë dhe një fishek në folenë e qitjes.

Sipas hetuesve, në momentin e arrestimit Nikolli ishte nisur për të realizuar atentatin e porositur nga Leonard Luzi.

Lini një Përgjigje