TAGS-AT E JAVËS

Kronike20 Mars 2026, 20:45

Klanet shqiptare të kokainës shtrijnë tentakulat në Peru, arrestohet “koka” e grupit

Shkruar nga Pamfleti
Klanet shqiptare të kokainës shtrijnë tentakulat në Peru,
Maglent Dybeli

Maglent Dybeli, financuesi i grupit kriminal që u kap me 98 pako kokainë. Rómulo Mengoni, Juan Vásquez, Shirley Ibáñez dhe Efraen Mendoza dyshohet se e grumbulluan drogën për ta dërguar në Evropë.

Maglent Dybeli është shqiptari i identifikuar si financues i një mafie të narkotrafikut. Rrjetet kriminale të Ballkanit janë vendosur në Peru dhe konsiderohen ndër trafikantët kryesorë të kokainës drejt Evropës. Këtë e konfirmoi zyra për Krimet e Trafikut të Paligjshëm të Drogës në Callao, e cila arriti të sigurojë 18 muaj paraburgim për anëtarët e dyshuar të një bande kriminale që kishte grumbulluar kokainë për eksport.

Rómulo Mengoni, Juan Vásquez, Shirley Ibáñez dhe Efraen Mendoza janë pjesë e një grupi kriminal të drejtuar nga shtetasi shqiptar Maglent Dybeli, shkruajnë mediat vendase.

Në një banesë të dytë u arrestuan gjithashtu Ibáñez dhe Mendoza, të cilët ishin të përfshirë në skemën e dyshuar të transportit të substancave të paligjshme. Ky i fundit kishte qëndruar tre muaj në Kolumbi për të koordinuar dhe garantuar që droga të eksportohej nga porti kryesor.

Dy të parët, sipas Prokurorisë, u ndaluan nga policia antidrogë në një banesë në Callao, ku iu gjetën 98 pako në formë tullash me klorhidrat kokaine, të cilat ishin transportuar nga Comas.

Gjatë operacionit u përcaktua se Maglent Dybeli ishte financuesi i bandës dhe përdorte një identitet të rremë me shtetësi italiane. Policia dhe Prokuroria vazhdojnë hetimet për përfshirjen e shtetasve të tjerë të huaj dhe peruanë në këtë rast.

Prokurori ndihmës provincial, Pako Grajeda, arriti të provojë me elemente të forta lidhjen mes të dyshuarve dhe veprave penale, duke siguruar vendosjen e masës së paraburgimit ndërsa hetimet vazhdojnë.

Sipas Dirandro-s, mafia shqiptare mbërriti në rajon në fund të viteve ’90 dhe fillim të viteve 2000, pas rënies së komunizmit në Shqipëri dhe luftërave në Ballkan, sipas një raporti të Iniciativës Globale kundër Krimit të Organizuar Transnacional (GI-TOC).

Aktualisht, ajo ka kontakte me kultivues, grumbullues dhe tregtarë të kokainës në Peru, prodhues në Kolumbi, grupe që ruajnë drogën deri në portet e Ekuadorit dhe kartelët e fuqishëm meksikanë.

Mafia shqiptare është vetëm një nga grupet ballkanike që operojnë në Amerikën Latine për furnizimin me kokainë drejt Evropës.

“Ka të dhëna për klane boshnjake, malazeze, kosovare dhe serbe”, deklaron një oficer i Dirandro-s.

Këto grupe kanë ndikim në portet e Amerikës Latine nga ku niset droga drejt Evropës, si Esmeraldas dhe Guayaquil në Ekuador, Buenaventura në Kolumbi dhe Callao e Paita në Peru.

Eksperti antidrogë thekson një veçori të mafies shqiptare: struktura e saj është kryesisht familjare.

“Dikush hyn në mafien shqiptare si bir, nip, kushëri apo familjar i një anëtari. Duke qenë e përbërë nga persona me lidhje gjaku, është më e vështirë që të denoncojnë ose të japin informacion kundër klanit”, shprehet ai.

Kjo karakteristikë, që mafia shqiptare e ndan me ‘Ndrangheta-n italiane, është arsyeja pse këto struktura janë të vështira për t’u çmontuar, ndryshe nga organizata të tjera kriminale evropiane.

“Mafia shqiptare, ose të paktën grupet që kanë operuar nga Ekuadori dhe Peruja, kanë vepruar me struktura të mirëorganizuara, që kanë lejuar kamuflimin e narkotrafikut në kompani transporti dhe magazinimi, por edhe në kompani detare eksportuese”, shpjegon oficeri./ Përshtati Pamfleti

 

kokaiine mafia shqiptare peru

Lini një Përgjigje