TAGS-AT E JAVËS

Kronike20 Mars 2026, 15:34

Detaje të reja nga 'shtëpia e barit' në Peqin, policia: Shpallet në kërkim vëllai i drejtorit të burgut të Rrogozhinës

Shkruar nga Pamfleti
Detaje të reja nga 'shtëpia e barit' në Peqin,
Pamje nga aksioni

Policia e Elbasanit ka dhënë detaje të reja lidhur me një rast të kultivimit të kanabisit të zbuluar në një magazinë në Peqin.

Një person ka rënë në pranga dhe katër të tjerë janë shpallur në kërkim në lidhje me drogën e gjetur një ditë më parë në një banesë në pronësi të drejtorit të burgut të Rrogozhinës, Bilal Hasa.

Në pranga u vu faturisti i energjisë elektrike, dhe ndaj tij rëndon akuza e shpërdorimit të detyrës. Në kërkim janë shpallur Romario dhe Ernest Hasa, të afërm me njëri-tjetrin, njëri prej tyre vëllai i drejtorit të burgut të Rrogozhinës, Bilal Hasës. 

Hetimet përfshijnë edhe dy shtetas të tjerë, të cilët dyshohen për të njëjtën vepër penale.

Gjatë ndërhyrjes, policia ka sekuestruar 1105 vazo ku ishin kultivuar bimë kanabisi. Një pjesë e bimëve është asgjësuar në vend përmes djegies.

"Në vijim të informacionit të dhënë ditën e djeshme, në kuadër të operacionit “Kurtaj”, i zhvilluar në fshatin Kurtaj, Njësia Administrative Gjocaj, Bashkia Peqin, strukturat e Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit, kanë vijuar veprimet hetimore dhe verifikuese.

Nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se, në këtë ambient nëntokësor të përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike, janë konstatuar 1105 vazo ku ishin kultivuar bimë e fidanë të dyshuar kanabis, si dhe pajisje të shumta elektrike që shërbenin për këtë veprimtari kriminale.

Në vijim të veprimeve procedurale, u arrestua në flagrancë shtetasi E. D., 23 vjeç, banues në Gjocaj, Peqin, me detyrë faturist i energjisë elektrike, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasit:

-R. H., 30 vjeç, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, pronar i ambienteve ku u gjetën bimët narkotike;

-E. H., 24 vjeç, banues në Kurtaj (i afërm i shtetasit R. H.), i dyshuar për “Kultivim të bimëve narkotike” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”;

-E. M., 36 vjeç, përgjegjës i OSHEE-së, për veprën penale “Shpërdorim detyre”;

-D. E., 34 vjeç, përgjegjës i OSHEE-së, për veprën penale “Shpërdorim detyre”.

Po punohet intensivisht për kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të tyre.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan pajisje dhe materiale të përdorura për këtë veprimtari kriminale, ndërsa pjesa tjetër e bimëve u asgjësua me anë të djegies.

Në lidhje me informacionin e dhënë ditën e djeshme, ku u shpallën në kërkim shtetasit B. H. dhe E. M., sqarojmë se shtetasi B. H, u paraqit vetë pranë strukturave të Policisë.

Nga veprimet hetimore të kryera nën drejtimin e Prokurorisë rezultoi se ambientet ku u konstatua veprimtaria kriminale janë në pronësi dhe në administrim të vëllait të tij, shtetasit R. H.

Në vijim, shtetasi B. H, është lënë i lirë, pasi nuk rezulton i implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, hetimet vijojnë me intensitet të lartë, me qëllim grumbullimin dhe dokumentimin e çdo prove që lidhet me këtë veprimtari kriminale, si dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë ligjore të të gjithë personave të përfshirë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”."-njofton policia. 

\\\\\\\'shtëpia e barit\\\\\\\' në peqin vëllai i drejtorit të burgut të rrogozhinës

Lini një Përgjigje