TAGS-AT E JAVËS

Kronike 5 Shkurt 2026, 12:14

“I gjetëm të shtrirë në tokë, ishin ende gjallë”, fqinji rrëfen momentet e para të tragjedisë së familjes Kola

Shkruar nga Pamfleti
“I gjetëm të shtrirë në tokë, ishin ende
“I gjetëm të shtrirë në tokë, ishin ende gjallë”; fqinji rrëfen momentet e para të tragjedisë së familjes Kola

Detaje të reja dhe tronditëse kanë dalë në dritë nga tragjedia e rëndë në Itali, ku katër anëtarë të familjes shqiptare Kola humbën jetën si pasojë e helmimit nga gazi në banesën e tyre.

Ernest Çela, fqinj dhe bashkëatdhetar i familjes, ka rrëfyer për mediat italiane momentet dramatike kur hyri në banesë së bashku me karabinierët dhe vëllain e kryefamiljarit.

Sipas tij, ngjarja ndodhi rreth orës 21:30, kur në vendngjarje mbërriti patrulla e karabinierëve bashkë me xhaxhain e njërit prej viktimave.

“Mbrëmjen rreth orës 21:30 erdhi patrulla e karabinierëve bashkë me xhaxhain e djalit që ka ndërruar jetë. Menjëherë hymë në banesë dhe u ngjitëm në katin e dytë, ku pashë katër trupat të shtrirë pa ndjenja në tokë. Në atë moment shkova menjëherë të kontrolloja nëse kishin akoma puls dhe deri në atë moment kishin ende rrahje zemre”, tregon Ernest Çela.

Ai shton se situata u përkeqësua brenda pak çastesh, pasi edhe vëllai i viktimës humbi ndjenjat, ndërsa vetë ai filloi të ndiente marramendje.

Sipas dëshmisë së tij, të gjithë u detyruan të largoheshin menjëherë nga banesa, pasi u kuptua se në ambient kishte monoksid karboni.

“Pastaj, në një moment, xhaxhai i djalit - ai që tani është i shtruar në spitalin e Cisanellos në gjendje të rëndë - humbi ndjenjat. Më pas edhe mua filluan të merreshin mendtë. Më pas bashkë me babanë tim dhe dy karabinierët kuptuam se në ajër kishte diçka, një gaz ose diçka e ngjashme.

Kështu që dolëm të gjithë menjëherë jashtë nga banesa. Pasi dolëm, e kuptuam që në ambient kishte monoksid karboni. Zjarrfikësit erdhën pas pak kohe, nuk di të them nëse pati vonesë apo jo. Në vendngjarje ishte edhe një ambulancë. Pasi dolëm jashtë, na dhanë ndihmën e parë”, thotë i riu.

Ai sqaron gjithashtu se ndihma e shpejtë nuk u lejua të ngjitej në banesë për shkak të rrezikut. Gjithashtu ai shtoi se kur është ngjitur në banesë viktimat kanë patur puls.

“Kur hapën dritaren, doli edhe një tym i bardhë. Por deri në momentin që unë isha lart, ata kishin puls”, përfundon ai.

Autoritetet italiane vijojnë hetimet për të sqaruar shkaqet teknike të rrjedhjes së monoksidit të karbonit, ndërsa dëshmitë e para nga vendngjarja hedhin dritë mbi momentet dramatike që paraprinë këtë tragjedi familjare.

Lini një Përgjigje